VITI - 24.03.2020

Mjekët e vetëizoluar në Viti nga e hëna i kthehen punës

Mjekët dhe punëtorët tjerë shëndetësorë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Viti, sot përsëri kanë dalë negativë në Covid-19 dhe e kanë përfunduar periudhën e vetëizolimit.

Në njoftimin e drejtoreshës së QKMF në Viti thuhet se të gjithë punëtorët e QKMF-së në Viti rezultojnë negativ dhe sot dalin nga vetëizolimi.

“Sapo na lajmëroi IKSHP në Prishtinë. Në emër timin dhe të gjithë kolegëve të mi dua të falënderoj të gjithë ata që na kanë qëndruar pranë këto ditë, falënderoj institucionet Komunale që kanë treguar kujdes të vazhdueshëm, IKSHP, IRSHP dhe MSH. Gjithashtu, kolegët nga QKMF dhe gjithë Kosova. Falënderim i veçantë për të vetizoluarit që kanë treguar një seriozitet dhe përgjegjshmëri gjatë këtyre dy javëve. Vazhdojmë me punë nga e hëna duke respektuar rekomandimet nga IKSHP dhe MSH”, thuhet në njoftimin e Drejtoreshës së QKMF-së, Vjollca Kadolli.

Mjekët dhe stafi tjetër mjekësorë në Viti i ishin nënshtruar edhe një herë tjetër testit për coronavirus pas kontakteve me personin e parë të infektuar, 77 vjeçarin nga Stublla e Vitisë por që edhe herën e parë kishin dalë negativ.

Deri tani në Kosovë janë konfirmuar 88 raste të prekura me coronavirus ndërsa një nga të infektuarit a vdekur ditë më parë.