Mjekët e Mbretëreshës britanike të shqetësuar për shëndetin e saj

Mbretëresha e Britanisë së Madhe është nën mbikëqyrje mjekësore në Balmoral pasi mjekët u shqetësuan për shëndetin e saj, thonë zyrarët nga Buckingham Palace, shkruan sot BBC.

“Pas vlerësimit të mëtejshëm këtë mëngjes, mjekët e Mbretëreshës janë të shqetësuar për shëndetin e madhërisë së saj dhe kanë rekomanduar që ajo të mbetet nën mbikëqyrjen mjekësore”, thuhet në një deklaratë.

Princi Charles ka udhëtuar në Balmoral si dhe Dukesha e Cornwall-it, ndërkohë që Duka i Kembrixhit është rrugës për atje.

Ky njoftim vjen pasi Mbretëresha, 96-vjeçare, u tërhoq nga një Këshill virtual Privy të mërkurën, ndërsa mjekët e kanë këshilluar atë të pushonte.

Kryeministrja Liz Truss tha se “i gjithë vendi”është “thellësisht i shqetësuar” nga lajmet.

“Mendimet e mia – dhe mendimet e njerëzve në mbarë Mbretërinë tonë të Bashkuar – janë me Madhërinë e saj Mbretëreshën dhe familjen e saj në këtë kohë,” shtoi ajo.

Mbretëresha emëroi Truss si kryeministre në Balmoral të martën./BBC