Kyriakos Mitsotakis

Mitsotakis kërkon përshpejtimin e rasteve gjyqësore për aksidentin me trena

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i bëri thirrje Gjykatës Supreme të shtetit që të përshpejtojë hetimet lidhur me aksidentin vdekjeprurës mes dy trenave, që la të vdekur të paktën 57 persona dhe nxiti protesta në mbarë vendin.

“Populli grek kërkon një sqarim të menjëhershëm lidhur me incidentet kriminale të lidhura me këtë aksident tragjik”, shkroi Mitsotakis në letrën dërguar gjykatës.

“Ju kërkoj që t’i jepni prioritet këtyre rasteve, dhe nëse është e duhur, të kryeni hetimet më të thella për të kuptuar se çfarë ndodhi” dhe nëse “ka pasur gabime në sistemin e sektorit të hekurudhave” që mund të përbëjnë vepra penale, tha ai.

Në mesin e viktimave të aksidentit me trena në Larisa të Greqisë, janë konfirmuar edhe katër shtetas shqiptarë ose me origjinë shqiptare.

Me Qeverisë greke që po kërkon të rizgjidhet në zgjedhjet e prillit, ky vendim i Mitsotakis po shihet i domosdoshëm që të ulë zemërimin e publikut, pasi hetime të tilla në Greqi mund të marrin disa vite kohë.

Përplasja e trenave të pasagjerëve ndodhi në Greqi të martën e kaluar dhe në bordin e tyre ishin mbi 350 pasagjerë, shumica prej të cilëve studentë.

Ky aksident nxiti protesta masive në disa pjesë të shtetit dhe protestuesit u përleshën me policinë. Më 5 mars, në Athinë mbi 12.000 persona protestuan.

Bashkimi Evropian i ka ofruar ndihmë teknike Greqisë për modernizimin e hekurudhave.

Autoritetet greke fillimisht ia lanë fajin “gabimit njerëzor” për këtë aksident, përkatësisht fajësuan shefin e stacionit që ishte në ndërrim në kohën e përplasjes së trenave.

Por, sindikatat e punëtorëve të hekurudhave kanë thënë se vazhdimisht kanë paralajmëruar operatorin e trenave, Hellenic Train, lidhur me problemet e sigurisë dhe kanë fajësuar Qeverinë se nuk ka keqmenaxhuar rrjetin e hekurudhave nuk ka ndërmarrë reforma për të ofruar më shumë siguri, gjë që sipas tyre ka çuar në aksidentin fatal./REL