Mitrovicë, vjedhje në dy qendra të mjekësisë familjare

Komuna e Mitrovicës njoftoi sot se janë thyer e vjedhur qendrat e mjekësisë familjare në Tunel të Parë dhe në Koshtovë të Mitrovicës.

Në këtë gjendje pandemie ku e gjithë vëmendja është drejt luftimit të virusit COVID-19, disa persona të papërgjegjshëm dhe të panjohur kanë thyer për dy ditë radhazi Qendrën e Mjekësisë Familjare në Tunel të Parë dhe në Koshtovë të Mitrovicës, tha komuna e Mitrovicës në njoftim.

Me këtë rast në këto dy qendra janë shkaktuar dëme materiale dhe janë vjedhur disa pajisje mjekësore, dhe për këtë gjë janë duke u marrë organet e rendit dhe ligjit.

Drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani, ka vizituar të dy qendrat në fjalë dhe ka identifikuar dëmet e shkaktuara, duke thënë se këto dëme do të kompensohen me të gjitha pajisjet që mungojnë.

Po ashtu drejtoresha Hasanaj Barani apelon tek të gjithë qytetarët që të jenë bashkëpunues në parandalimin e këtij virusi, pasi që institucionet shëndetësore janë në gjendje gatishmërie për kryerjen e shërbimeve ndaj tyre.