Seanca ndaj 7 të akuzuarve si veteranë të rrejshëm

Mitrovicë, shtyhet seanca ndaj 7 të akuzuarve si veteranë të rrejshëm

Në Gjykatën e Mitrovicës sot ishte paraparë që të fillojë gjykimi ndaj shtatë personave të akuzuar për falsifikim të dokumenteve për të hyrë në listat me anë të së cilave do të fitonin pensionin e veteranëve të luftës.

Në katër pjesë të aktakuzës janë përshkruar veprimet e të akuzuarve, me anë të së cilave  të akuzuarit Flora dhe Azize Kadriu dhe Sami Kadriu kanë përfituar pensionin e veteranit duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm në shumë prej 4250 euro.

Por seanca e sotme ka dështuar të mbahet për shkak se në gjykatë nuk ka qenë prezent i pandehuri Besim Hyseni.

Gjyqtari i rastit Nikolla Petronijeviq është njoftuar nga i pandehuri Meriton Hasani se i akuzuari Hyseni nuk gjendet në Kosovë.

Prokurori Arjan Xhema ka kërkuar veçimin e procedurës ndaj të akuzuarit me qëllim të moszvarritjes se rastit.

Për veçimin e procedurës ndaj të akuzuarit Hyseni, është pajtuar edhe avokati Amir Bunjaku, i cili në këtë rast mbron të pandehurën Azize Kadriu.

Pas kësaj gjyqtari Petronijeviq ka njoftuar të pranishmit se do të lëshoj udhër për Policinë e Kosovës, për të vërtetuar nëse i pandehuri gjendet në Kosovë apo jo.

Akuza e prokurorisë së Mitrovicë thotë se të pandehurit Azizie dhe Miftar Kadriu, në prill 2018, në Mitrovicë, në Zyrën Rajonale të Departamentit të Dëshmorëve dhe kategorive tjera të dala nga lufta e UÇK-së, me dashje e pandehura Azize kishte përdorur dokumente të falsifikuara dhe atë certifikatën e veteranit luftëtar që nuk ishte lëshuar nga organi kompetent përkatësisht nga zyra për çështjen e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.

Dokumenti ishte siguruar nga bashkëshorti i të pandehurës Azize, tani i pandehuri Miftar Kadriu.

Për rregullimin e këtyre dokumenteve i pandehuri Miftar kishte paguar 2000 euro të pandehurit Meriton Hasani.

Sipas aktakuzës, përmes këtyre dokumenteve të pandehurës Azize Kadriu i ishte lëshuar vendimi në bazë të së cilit i ishte njohur e drejta e pensionit me skema pensionale, me të cilin ishte dëmtuar buxheti i Kosovës në shumë prej 1020 Euro.

Tutje akuza e prokurorisë thotë se , të pandehurit Flora dhe Salih Kadriu, në prill 2018, në Mitrovicë, kishin shkuar në Zyrën Rajonale të Departamentit të Familjeve të Dëshmorëve dhe kategorive të tjera të dala nga lufta e UÇK-së duke mos ndjekur procedurën ligjore për aplikimin e statusit e veteranit të luftë”, ku e pandehura Flora kishte  përdorur dokumente të falsifikuara, përkatësisht  çertifikatën e veteranit dhe një vërtetim të cilat dokumente i kishte siguruar përmes të pandehurit Salih Kadriu.

Sipas aktakuzës, e pandehura, Flora kishte përfituar pensionin si veteran luftëtar, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në shumë prej 1530 Euro.

Poashtu, akuza e prokurorisë thotë se në dhjetor të vitit 2017, i pandehuri Sami Kadriu në Zyrën Rajonale të Departamentit të Familjeve të Dëshmorëve dhe kategorive të tjera të dala nga lufta e UÇK-së, e kanë vënë në lajthim organin kompetent që në një dokument publik, regjistër apo libër të vërtetojë një çështje të pavërtetë ashtu që i pandehuri Sami kishte shkuar në zyrën e lartcekur duke mos ndjekur procedurën ligjore për aplikimin e statusit të veteranit të luftës, ka përdorur dokumente të falsifikuara që nuk janë lëshuar nga organi kompetent, me anë të së cilës  i ishte lëshuar vendimi për njohjen e të drejtës së pensionit të veteranëve.

Me këtë, sipas aktakuzës, i pandehuri i ka shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 1700 euro.