Ilustrim

Mitrovicë, shfaqet bruceloza, asgjësohen 14 lopë

Sëmundja ngjitëse bruceloza është shfaqur në rajonin e Mitrovicës ndërsa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka marrë vendim për asgjësimin e 14 lopëve.

Asgjësimi i tyre është bërë në deponinë e mbeturinave në fshatin Koshtovë.

Kjo për KALLXO.com është konfirmuar nga Lamir Thaçi, zëdhënës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Sipas AUV, dy fermerë janë kompensuar për dëmet ndërsa janë marrë veprimet që të parandalohet përhapja e brucelozës.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë më 12.02.2020 bazuar në mandatin ligjor, si autoritet kompetent për zhvillimin e politikave për luftimin e sëmundjeve infektive tek kafshët të cilat pas hulumtimeve diagnostike dhe analizave laboratorike kanë rezultuar pozitive në sëmundjen infektive Brucelozë. Bazuar në legjislacionin ne fuqi ka nxjerrë vendim për asgjësim – kafshët e llojit (gjedhet)  gjithsej 14 krerë pronë e dy fermerëve  nga fshati Boletin komuna e Zveçanit”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Sipas përgjigjes së AUV, asgjësimi është bërë në koordinim me Komunën e Zveçanit dhe kompaninë e mbeturinave “Uniteti”.

“Lokacioni apo vendi për asgjësim përcaktohet nga autoritet lokale. Në këtë rast, asgjësimi është bërë në lokacionin e përcaktuar nga Komuna e Zveçanit. Komuna kishte kontratë me kompaninë “Uniteti” dhe e njëjta ka marrë përgjegjësinë e pagesës në deponi sipas kontratës së tyre. Asgjësimi është bërë në deponinë regjionale të mbeturinave “Uniteti” në fshatin Koshtovë të Mitrovicës, nën mbikëqyrjen e Inspektoratit Veterinar të AUV –së zyra regjionale Mitrovicë, nga kompania e kontraktuar, në koordinim edhe  me Komunën  e Zveçanit dhe kompaninë “Uniteti”. Në proces të asgjësimit kanë asistuar Polica e Kosovës”, thuhet tutje në përgjigje.

Asgjësimi i 14 krerëve lopë në rajonin e Mitrovicës sipas AUV-it u bë për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.

“Bazuar në politikat për luftimin e sëmundjeve të kafshëve AUV në të gjithë territorin e Republikës se Kosovës realizon kontrolle dhe mostrime për luftimin e sëmundjeve infektive. Kurdo që ndonjë kafshë rezulton pozitive ne jemi të obliguar të bëjmë asgjësimin për të mbrojtur shëndetin e përgjithshëm publik”, thotë AUV.

“Fermerët të cilëve kafshët e tyre rezultojnë pozitive në sëmundjen e brucelozës kompensohen bazuar në rregulloren 01/2019 dhe 02/2019 Për vlerësim dhe kompensim fermerëve për kafshët e asgjësuara si pasojë e paraqitjes se sëmundjeve infektive”, thuhet në fund të përgjigjes.