Mitrovicë, shënohet 25-vjetori i masakrës së Srebrenicës

Më rastin e shënimit të 25-vjetorit të masakrës së Srebrenicës, në Mitrovicë është mbajtur, për herë të parë, një ceremoni përkujtimore.

Në këtë ceremoni, të mbajtur ditë më parë, mori pjesë kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, kurse vizualisht u prezantuan videot përshëndetëse të ish-prokurorit të Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, Sir Geoffrey Nice dhe të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në videon e tij, Geoffrey Nice tha se masakra e Srebrenicës është gjenocid dhe se edhe pas 25 vite përpjekjesh nuk është vënë drejtësia. Për këtë thotë se janë disa arsye.

“Ajo tragjedi ka reflektuar historinë më të gjatë të luftës së tmerrshme në Bosnjë. Duhet të pranojmë qe ka edhe të tjerë por deri më sot kjo qenë më e madhja kundër të drejtave e njeriut që nga Lufta e Dytë Botërore që ka ndodhur në Evropë. Është përshkruar si gjenocid në Gjykata të Drejtësisë, dhe është e drejtë që të quhet në këtë mënyrë. Gjatë 25 viteve të fundit përpjekjet për të zbuluar të vertetën nuk kanë qenë të suksesshme. Arsye për këtë janë disa. Fakti qëndron se e vërteta nuk u zbulua nga të mbijetuarit, nënat, vëllezërit dhe motrat e atyre që vdiqën. Për këtë, procesi i gjatë i zbardhjes ende është i pakompletuar, ndoshta mund të ketë marrë vëmendje jo të duhur”, tha ai.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani tha se gjenocidi i kryer nga shteti serb duhet jo vetëm të përkujtohet por edhe të bëhet thirrje në çdo vend të botës për t’i thënë se “Srebrenica edhe 25 viteve pas akoma thërret për drejtësi dhe është obligim moral i të gjithëve që beson në njerëzoren”.

“Çka ka ndodhur në Srebrenicë është pasqyre e ndërgjegjes se munguar të botës demokratike. Ajo masakër që në fakt është gjenocid i një regjimi gjenocidal i një shteti që e ka emrin Serbi, ka ndodhur para syve të botës. Por pikërisht mësimet që bota demokratike i mori nga Srebernica dhe nga Bosnja e bënë atë që të thërrasin “kurrë më” dhe prandaj ndërhynë në Kosovë dhe ndërhyri NATO për të parandaluar një Srbrenicë të dytë”, u shpreh ajo.

“NATO në Kosovë kanë arritur që ndërmarrin masa që të parandalojnë tentim-gjenocidin e shteti serb. Por këtu njëjtë sikurse në Bosnje është dëshmuar qartë qëllimi i aparatit shtetëror serb për shfarosjen e popullit tonë. Nuk ka bashkëndjenjë më të madhe se sa që ka Kosova me popullin boshnjak. Prandaj ne e kuptojmë aq mirë njeri-tjetrin dhe dhimbjen”, tha Osmani.

Ndërkaq, lideri i LVV-së, Albin Kurti deklaroi në fjalimin e tij në gjuhën boshnjake tha se Bosnja ende ballafaqohet me numër te madh te çështjeve te pazgjedhura nga kjo masakër, por sipas tij, përveç kësaj ballafaqohet edhe me njerëzit qe e mohojnë gjenocidin e filluar atje.

“Ajo çka ka ndodhur në Srebrenice është gjenocid, jo vetëm se e ka pa krejt bota, por edhe pse Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi e ka konfirmuar këtë. Fatkeqësisht, Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi e ka klasifikuar gjenocidin vetëm atë krim që ka ndodhur në Srebrenicë, e jo krimet qe kanë ndodhur në gjithë territorin e Bosnjës dhe Hercegovinës”, tha Kurti.

“Serbia fatkeqësisht nuk është konsideruar përgjegjëse për gjenocid por është konsideruar përgjegjëse për mosndalje te gjenocidit. Ne shumë mirë e dimë, ata të cilët e kanë kryer gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë nuk kanë ardhur nga Bullgaria, Rumania ose Hungaria e mos me i ndal Serbia”, tha ish-kryeministri Kurti.

Ideatorja e këtij eventi, Anesa Colakoviq në fjalën hyrëse tha se asnjëherë nuk është e mjaftueshme për të folur për Srebrenicën.

“Ne i mbijetuam luftës, kemi fituar një të kaluar të vështirë dhe të dhimbshme që na bën të ndërtojmë një të ardhme më të mirë. Kjo është arsyeja pse qëndrimi ynë ndaj së kaluarës është shumë i rëndësishëm. Është shumë e rëndësishme të marrim përgjegjësi për gjithçka që po ndodh rreth nesh dhe në shoqërinë tonë. Ne duhet të ndërtojmë dhe të ruajmë paqen çdo ditë, të flasim hapur për të kaluarën në mënyrë që gjërat të mos ndodhin përsëri në të ardhmen. Për sa kohë që jemi të rrethuar nga mashtrimet, ne nuk kemi të drejtë të kthejmë kokën ose të mbyllim sytë për të mbrojtur veten nga çdo tragjedi që ndodh rreth nesh”, u shpreh ajo.

Shënimi i 25-vjetorit të Srebrenicës për herë të parë në Mitrovicë është zhvilluar nga Anesa Colakoviq qe së bashku fëmijët ne mësimdhënie ne gjuhen boshnjake ne Mitrovice dhe me vajzat dhe grate nga komuniteti boshnjak nga KUD Saraj dhe vullnetarët nga komuniteti shqiptar t’i japim vlere te veçantë viktimave te Srebrenices, por edhe viktimave boshnjak në mbarë Bosnjën.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Në ditët që kanë pasuar, ato kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa në pyjet përreth.

Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.