Mitrovicë: Serbët e kapur me kokainë lirohen nga paraburgimi për më pak se 48 orë

Gjykata e Mitrovicës ka vendosur t’i lirojë në arrest shtëpiak dy serbët të cilët u arrestuan dy ditë më parë me një sasi të madhe të kokainës.

Policia e Kosovës njoftoI të shtunën se kishte konfiskuar 453 gramë të drogës së shtrenjtë kokainë. Droga me vlerë prej mbi 40 mijë euro u has në makinën e dy serbëve të cilët përpos drogës kishin edhe një pistoletë, një sasi marihuane dhe 400 qese të vogla për paketimin e drogës.

KALLXO.com mëson se gjatë ditës së sotme Prokuroria e Mitrovicës ka kërkuar paraburgimin për Jetimje Apostoloviq dhe Marko Apostoloviq mirëpo kërkesa për t’i mbajtur të dyshuarit në paraburgim është refuzuar nga gjykatësi Avni Mehmeti.

Ky i fundit ka nxjerrë një vendim me të cilin dy serbët janë liruar në arrest shtëpiak deri në një vendim tjetër.

“Vendimi për lirimin e tyre është marrë në orët e pasdites ndërsa dy të pandehurit janë në shtëpitë e tyre“, kanë konfirmuar burime të KALLXO.com.

Operacioni kundër drogës në afërsi të Zveçanit është promovuar si sukses i Policisë së Kosovës dy ditë më parë. Sasia e kokainës e konfiskuar te ky grup është sasia më e madhe e kokainës e konfiskuar gjatë këtij viti.