Ilustrim

Mitrovicë - Sekuestrohet një armë, dyshohet të jetë përdorur në përleshjen ndërmjet nxënësve

Hetuesit në kuadër të stacionit policor ‘Jugu’ në Mitrovicë, në orët e mesditës së sotme kanë arritur që nga njëri prej të dyshuarve në rastit e djeshëm të gjejnë dhe të sekuestrojnë një armë të llojit pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur një ditë më parë në rastin e përleshjes ndërmjet disa nxënësve.

I dyshuari nga i cili është marrë arma është intervistuar dhe me pas është liruar për procedurë të rregullt.

Ndërsa ndaj tij është iniciuar rast për ‘përdorim të armës’, ‘armëmbajtje pa leje’ dhe ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndryshe në Mitrovicë dje janë intervistuar nëntë persona në cilësi të të dyshuarve për rastin e përleshjes afër shkollës së mesme të gjimnazit.

Policia kishte pranuar informacion për një përleshje fizike në mes të disa të rinjve të moshës së mitur.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në rrugën e ‘UÇK-së’ në Mitrovicë.

Nga të dhënat e para të siguruara, bëhet e ditur se në përleshje ishin të përfshirë nëntë persona të moshës së mitur dhe si pasojë e përleshjes një nga të përfshirët në përleshje ka pësuar lëndime trupore, i cili ka kërkuar tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë.

Kurse hetuesit policorë, në cilësi të provave materiale, në vendin e ngjarjes, kanë gjetur dhe kanë konfiskuar një gëzhojë e cila dyshohet të jetë shkrepur nga të përfshirët në përleshje.

Ndërsa pas procedurave të nevojshme intervistuese, të gjithë të dyshuarit janë liruar për procedurë të rregullt. Ndaj tyre janë iniciuar raste për vepra penale si ‘lëndim i rëndë trupor’, ‘përdorim i armës’, ‘armëmbajtje pa leje’ dhe ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.