Mitrovicë, rrënohet një objekt pa leje

Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Mitrovicës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë rrënuar një objekt afarist të ndërtuar pa leje ndërtimi në pronë publike në rrugën “Bislim Bajgora”.

Kjo komunë përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Komunës, Agim Bahtiri.

Bahtiri, ka thënë se me kohë e kanë paralajmëruar ndërtuesin si dhe kanë ndjekur të gjitha procedurat deri në vendimin përfundimtar për rrënim, por që sipas tij, çdo shkelës i ligjit përpos rrënimit mund të përballet edhe me organet e drejtësisë.

Më tej, Drejtoria e Inspeksionit i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët duan të bëjnë ndërtime të objekteve afariste apo të banimit që të pajisen më leje ndërtimi, përndryshe Inspektorati i Komunës është i obliguar që ta zbatoj ligjin dhe të merr masa konform ligjit në fuqi.