
Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com
Mitrovicë, qytetari pretendon se u sulmua fizikisht nga një zyrtar policor
Një burrë ka raportuar në Policinë e Kosovës se në një lokal është sulmuar fizikisht nga një zyrtar policor, jashtë detyrës zyrtare, i cili pastaj është larguar nga vendi i ngjarjes.
Rasti ka ndodhur në Mitrovicë dhe sipas forcave të rendit në video-incizime shihet se ankuesi kishte një mjet të mprehtë -thikë.
“Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe, bazuar në video incizime, shihet se ankuesi kishte një mjet të mprehtë – thikë, me të cilin dyshohet se ishte duke e kanosur zyrtarin.” – thuhet në Raportin e Policisë së Kosovës.
Në Raport bëhet e ditur, se njësitet policore kanë konfiskuar thikën, ndërsa lidhur me rastin është informuar edhe Prokurori dhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Sipas Policisë, rasti është nën hetime.