Tregu në Mitrovicë, foto: Arbnora Pllana/ KALLXO.com
Mitrovicë, qytetarët ankohen për çmimet e larta të frutave dhe perimeve në tregun e qytetit
Periudha e vjeshtës është koha kur qytetarët furnizohen me frutat dhe perimet për të siguruar ushqimet gjatë dimrit.
Por çmimet dhe kualiteti i tyre këtë vit po del të jetë befasues për disa qytetarët në Mitrovicë të Jugut, për shkak të cilësisë së dobët e çmimeve të larta të produkteve.
Për Gani Ismajlin, çmimet në tregun e qytetit këtë vit janë të larta.
“Çmimet janë të larta, dikun janë të larta e diku jo, më pak ”- thotë ai, derisa shikimin e kishte nga perimet në tregun e Mitrovicës.
“Një kilogram speca ‘babure’ qitu kenë 1.50 centë, ndërsa veç pak ma qanej të njëjtët speca kenë 2 euro kilogrami, e një thes i plotë me speca është 20 euro”- thotë Ismajli.
Pensionisti Ismajli tha se për të këto çmime janë të papërballueshme.
“Njeri për turshi nuk merr veq speca, por merr edhe domate, tranguj, karota, e që krejt kur po vendosen po kanë një kosto”- shprehet ai.
Edhe për Ariana Tahirin këtë vit çmimet janë shumë të larta.
“Në përgjithësi çmimet janë të paprekshme, si për domate, tranguj, patate… përveç qepët janë ende me një çmim të lirë”- thotë Tahiri.
“Edhe këta s’kanë faj, se jo vërshimet, puna që përkujdesen për to, edhe çmimet pastaj i ngritin”- shprehet ajo me pak ngushëllim.
Çfarë thonë tregtarët?
Disa nga tregtarët në Mitrovicë të Jugut kanë qëndrime të ndryshme rreth çmimeve të produkteve që ata i shesin.
Muharrem Syla thotë për KALLXO.com se të gjitha çmimet e pemëve dhe perimeve këtë vit janë më shtrenjtë se vitin e kaluar.
“Të gjitha çmimet e pemëve dhe perimeve këtë vit, për 30 për qind janë më të larta se vitin e kaluar”- ka thënë Syla.
I pyetur se cilat janë shkaktarët që kanë bërë që këtë vit të jenë çmimet më të larta se vitin e kaluar, ai përmendi kushtet klimatike.
“Shkaktari kryesor që çmimet janë më të larta është ndikimi i nxehtësisë së lartë që ka qenë në këtë vit, reshjet atmosferike dhe mungesa e prodhimit vendor, janë arsyet se pse çmimet janë më të larta”- thotë Syla.
Ai thotë se edhe cilësia e perimeve është më e dobët.
“Ka interesim, por që është më i vogël në krahasim me vitet e tjera. Në këtë vit kualiteti i perimeve është më i dobët se në vitet e tjera”- përfundoi ai.
Ndërkaq një tjetër tregtar, në kushte anonimiteti tha për KALLXO.com se nuk ka ndryshim çmimesh.
“Një thes me speca është 3 kilogramë kushton 4 euro, e ai thesi i madh i ka 10 kilogramë e kushton 18 euro, nuk ka ndryshuar najsen njëjtë janë, patatja vjet është shitur 5 euro njejtë edhe këtë vit, vëtëm këtë vit janë shtrejtuar trangujt ku sot po i shesim ka 9 euro. Për specat më të mirë shkojmë nga çmimet 1.50 cent – në 2 euro kilogrami”- thotë ai.
Aspekti ekonomik
Duke folur për ndikimin në rritjen e çmimeve, ekonomist Muhamet Sadiku, i thotë se tregu në Kosovë ka hyrë në një “spirale të inflacionit.”
“Ne kemi hyrë në një spirale të inflacionit pavarësisht që kemi stabilizim të tregut ndërkombëtar, kemi ulje të ndjeshme të inflacionit në eurozonë”- ka thënë Sadiku.
Sipas tij, kjo tregon një situatë shqetësuese në ekonominë e Kosovës.
“Përveç ndikimit të tregut ndërkombëtar, kemi edhe devijimin në tregun e brendshëm, devijime nëpërmjet ngritjes së mallrave në tregti, devijimi në pranimin e konkurrencës së brendshme, gjitha këto reflektohen në ngritjen e çmimeve”- theksoi ai.
Ai flet për ndikimin edhe nga aspekti psikologjik.
“Në Kosovë inflacioni është edhe çështje psikologjike, do të thotë pavarësisht që kemi rritje të çmimeve si rezultat i lëvzijes së ofertës dhe kërkesë, po ka edhe lëvizje që është si rezultat i piskologjisë tonë i pritjeve që gjithnjë do të këtë ngritje të inflacionit dhe gjithë në një formë tregtarët janë në garë se si përmes ngritjeve të çmimit do të mbrohen nga efektet e inflacionit”- tha Sadiku.
Për çmimet, Sadiku është shprehur se ka ndikim edhe ndryshimi i klimës.
“Po sigurisht ndryshimi i klimës ka bërë efekte shumë negative këtë vit duke pasë parasysh , janë dëmtuar shumë të mbjella, shumë produkte të cilat janë bazike për qytetarët”- potencoi ai.
“Qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë me subvencione, ndryshe qeveritë e shteteve të vogla mundësinë e kanë të kufizuara për ta luftuar inflacionin, që ka karakter botëror, por Qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë që përmes harmonizimit të shpenzimeve sociale të bëjë përpjeke për të amortizuar ndikimin dhe goditjet që vijnë nga inflacioni sidomos tek familjet me të hyrat e ulëta ekonomike”- ka thënë Sadiku.