Mitrovicë, publikohet raporti për sfidat e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara gjatë COVID-19

Qendra për persona me aftësi të kufizuara “Handikos” në Mitrovicë ka publikuar sot raportin “Sfidat e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara përgjatë COVID-19 në komunën e Mitrovicës”.

Në këtë hulumtim kanë marrë pjesë gjithsej 65 persona, prej tyre 20 vajza të moshave 15 deri 29 vjeç; 42 gra të moshës 30 e më shumë vjeç dhe tre burra.

Disa prej problemeve që u përmendën në gjetjet e këtij publikimi ishin dhuna fizike dhe psiqike në të cilën kanë hasur gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara gjatë pandemisë; problemet në marrjen e shërbimeve sociale në institucione publike për shkak të mungesës së qasjes ku doli se të anketuarat kanë deklaruar se janë detyruar që shërbimet në këto institucione t’i marrin në forma alternative; përkeqësimi i mëtejshëm i situatës së grave me aftësi të kufizura në punësim.

FOTO: Handikos Mitrovica

Sipas këtij raporti, mësimi gjatë pandemisë COVID-19 nuk ishte i përshtatur për llojet e ndryshme të aftësive të kufizuara.

“Realizimi i mësimit zhvillohej me mungesë të mjeteve përkatëse ndihmëse mësimore. Gjithashtu, në rajonin e Mitrovicës ekziston nevoja për funskionimin e Ekipit Vlerësues Pedagogjik dhe hartimin e planeve individuale arsimore të fëmijëve me aftësi të kufizuara në koordinim me DKA-në, QPS-në, shkollat dhe prindërit” – thuhet në këtë raport.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe Arbër Berisha nga Zyra e Avokatit të Popullit dhe Gani Mustafa, drejtor në Qendrën për Punë Sociale në Mitrovicë, të cilët para të pranishmëve treguan për komepetencat e këtyre institucioneve, kërkesat dhe ankësat që ata marrin në lidhje me situatën e personave me aftësi të kufizuar.

FOTO: Handikos Mitrovica

Ani pse pjesmarrja e tyre ishte e paralajmëruar në agjendë, në këtë ngjarje nuk pati përfaqësues nga Drejtoria e Integrimeve Evropiane dhe Mirëqenies Sociale dhe përfaqësues nga Drejtoria e Shëndetësisë.

“Patëm mungesën e Drejtorëve nga Drejtoria e Integrimeve Evropiane dhe Drejtoria e Shëndetësisë, ku personat me aftësi të kufizuara i kanë më së shumti të nevojshme ato drejtori, mirëpo ne prapë folëm për problemet dhe nevojat e personave me aftësi të kufizuara” – tha drejtoresha e “Handikos” në Mitrovicë, Myrvete Hasani për KALLXO.com.

Ajo shtoi se këto institucione do t’i mbajnë afër që të shpalosen më shumë sfidat nëpër të cilat kalojnë gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara.

“Besoj që ka mu përmirësu me punën dhe me projektet e radhës, dhe do t’i mbajmë gjithmonë afër drejtoritë dhe institucionet e shëndetësisë që të konsultohemi gjithmonë me problemet e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara” – shtoi ajo.

Një tjetër problem që u theksua nga Hyseni ishte pamundësia që gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara nuk munden të bëjnë kontrolla gjinekologjike të rregullta për shkak të kushteve joadekuate,

“Nuk ka shtrat ku ato mund ta kryejnë atë kontrollë dhe gjatë pandemisë ato kanë pasur edhe mungesë të mjeteve hixhienike. Ne jemi munduar t’i ndihmojmë sadopak por ne nuk kemi mundësi. Kështuqë, besoj që përmes këtij hulumtimi ne kemi për të luftuar që sadopak të përmirësohen kushtet për këto gra dhe vajza”- shtoi drejtoresha.

Publikimin e këtyre gjetjeve dhe diskutimin rreth tyre si të rëndësishëm e pa edhe Leonita Sadiku, anëtare në “Handikos” në Mitrovicë.

“Mendoj që ky projekt ishte shumë i nevojshëm sepse përpos sfidave që kanë hasur të gjithë gjatë pandemisë kur kemi qenë të mbullyr i pamë më thellësisht problemet nëpër të cilat kanë kaluar gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara” – tha Sadiku.

Ajo thekson se është e lodhur duke dëgjuar premtime çdo 3 dhjetor kur shënohet dita e personave me aftësi të kufizuar e duke parë pak progres që del nga ato premtime.

“Unë për vete po flas drejtë, shumë kam lobuar dhe shumë jam munduar që të jetë gjithmonë e më mirë e të mos ketë barriera. Mirëpo, jam duke  e parë që është shumë vështirë dhe në njërën anë edhe jam lodhur. Lobo lobo lobo dhe në fund merr shumë pak”- u shpreh ajo.

Një tjetër sfidë për Leonitën është edhe vështirësia për të gjetur punë edhe pse ajo është juriste e diplomuar.

“Brenda këtij muaji kam aplikuar ndoshta në 15 vende dhe çka është edhe më e dhimbshme as edhe një përgjigje nuk e kam marrë. Të paktën një përgjigje që nuk jam përzgjedhur apo diçka, por në asnjë intervistë nuk më kanë thirrë” – tregon Sadiku.

Ku hulumtim ka përfshirë metoda të ndryshme në mesin e të cilave ishin 50 intervista ballë për ballë me gra dhe vajza me aftësi të kufizuara; 4 grupe fokusi me gra dhe vajza me aftësi të kufizuara; realizimi i takimeve me 8 institucione përkatëse në komunën e Mitrovicës dhe vëzhgimin e pjesmarrësve.

Për zhvillimin e intervistave ballë për ballë me gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara janë përfshirë gjithsej 50 të anketuar, pej të cilëve 36 ishin gra dhe vajza me aftësi të kufizuara, kurse 14 ishin persona që kujdesen për gratë me aftësi të kufizuara.

Ky projekt përkrahet nga Fondi i Grave të Kosovës me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”.