Mitrovicë, protestë kundër dhunës seksuale

Me parullën “ Unë jam zani yt! “ sot në Mitrovicë u protestua kundër dhunës  e ngacmimeve seksuale ndaj vajzave të mitura.

 

 

Të paktën tre raste dhunimi e ngacmimi seksual janë raportuar të kenë ndodhur në dy muajt e fundit në Mitrovicë.

Kjo ka bërë që grupi “ Vajzat e Mitrovicës “ të protestojë në shenjë pakënaqësie për këto raste duke shprehur indinjatën edhe për mënyrën e trajtimit të rasteve në institucionet përkatëse.

Në këtë proteste morën pjesë përfaqësues të institucioneve, aktivistë dhe një numër i qytetarëve të cilët duke marshuar nga oborri i komunës së Mitrovicës drejt Gykatës Themelore në pjesën jugore të qytetit, kanë brohoritur parullat “ Ngacmimi seksual është vepër penale “, “ Pse se përkrahe çikën “, “ Pse nuk reagove kryetar “, “ Mos i lironi ngacmuesit në procedurë të rregullt “ e të tjera.

Armela Hajra njëra nga aktivistet ka thënë se janë të shqetësuara me rastet e fundit të dhunimeve dhe ngacmimeve seksuale në qytetin e Mitrovicës.

“ Ne jemi këtu sot të shqetësuara me rastet e fundit të dhunimeve, ngacmimeve e përdhunimeve, jemi këtu në shenje revolte për të brohoritur edhe një herë se dhunimi është krim “ tha Hajra.

Ndërsa edhe Lule Uka aktiviste ka bërë thirrje për drejtësi dhe barazi nga të gjithë pa dallim gjinie.

“ Ne vajzat e Mitrovicës jemi këtu sot për të thënë se jemi bashkë edhe me djemtë dhe burrat që duan drejtësi dhe barazi. “ Unë jam zani yt “ është parulla “ Viktima nuk ka faj “ është mesazhi, tani le të ju tregojmë të gjithëve se në jemi zani i viktimave “, tha Uka.

Edhe deputetja Valdete Idrizi ishte pjese e protestës e cila ka thënë se përmes kësaj proteste po bëhen zëri i viktimave, ndërsa ka potencuar që kanë bërë aktivitete të panumërta në Komisionin për të drejtat e njeriut për vetëdijesimin e institucioneve.

“ Konsideroj se është shumë e rëndësishme që të ngrehim zërin në mënyrë që të gjithë së bashku të jemi zëri i viktimave. Unë si deputete e Komisionit Për të Drejtat e Njeriut e kam ngritur këtë çështje, kemi pasur aktivitete të panumërta si në komision ashtu edhe në platforma të ndryshme thjeshtë që ta ngrisim këtë vetëdije në nivel të institucioneve”, tha Idrizi.