Zgjedhjet 2025. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Mitrovicë: Posedonte fletushka të fotokopjuara dhe të zbrazëta për t’i udhëzuar votuesit, rasti po trajtohet nga Prokuroria

Prokurori Njazi Rexha ka konfirmuar për KALLXO.com se janë lajmëruar dy raste na Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Sipas tij njëri ka ndodhur në shkollën “Musa Hoti” në Frashër e tjetri në shkollën “Fazli Grajqevci” në Shipol.

Në qendrën në Frashër një person ka ngatërruar rubrikën.

“Ky rast është konstatuar si gabim, është rregulluar me komision”- ka thënë Rexha.

Ndërsa në qendrën në Shipol një person dyshohet se ka poseduar fletushka të fotokopjuara dhe të zbrazëta për t’i udhëzuar qytetarët.

“E kanë identifiku një person që po sillet aty pari e që i njejti, ka fletushka të zbrazëta, të fotokopjume, që i ka udhëzu qysh duhet të votohet”.

Ai tha se rasti po trajtohet.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do mbyllen në ora 19:00.

Të dhënat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë për 1 milion e 970 mijë e 944 votues me të drejtë vote.

Në të gjithë territorin e vendit do të hapen 903 Qendra të Votimit, me gjithsej 2 mijë e 533 vendvotime.

Në këto Zgjedhje të gjithë ata që do të votojnë me kusht kanë mundësi të votojnë vetëm në një Qendër Votimi, në një Komunë. Sipas KQZ-së do të jenë 38 Qendra Votimi me kusht, me gjithsej 58 vendvotime.

Ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1280 kandidatë.

Procesi i votimit në Kosovë do të monitorohet nga një numër i konsiderueshëm i vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, media vendore e ndërkombëtare dhe përfaqësues të trupave zgjedhore nga vendet e tjera.

Zgjedhjet e sivjetme parlamentare në Kosovë do të sjellin një risi sa i përket vëzhgimit të procesit të votimit, pasi që, për herë të parë, në qendra votimi do të ketë edhe kamera mbikëqyrëse.

KQZ -ja ka akredituar 1680 vëzhguesve për vëzhgimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës, janë zgjedhjet e gjashta me radhë që do mbahen në Kosovë që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.