Diskutimi për "Edukimin për Paqe dhe Rini" - Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Mitrovicë, njohës të arsimit propozojnë që lënda “Edukimi për Paqe” të jetë e integruar në kurrikulat shkollore

Një diskutim i organizuar nga rrjeti i organizatave të shoqërisë civile bashkoi rektorë, profesorë e njohës të shoqërisë civile në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë.

Thirrja e përbashkët e këtij paneli ishte “Edukimi për Paqe”, ku theksohej bashkëjetesa, toleranca e bashkëpunimi mes komuniteteve, me theks të veçantë komunitetit serb e shqiptar.

Qytetari nga Mitrovica, Mentor Mripa, tha se po të mos ndërhynte politika në jetët tona, ne shumë mirë do të jetonim në paqe.

“Përshëndetje për të gjithë dhe paqe për të gjithë. Më bëri përshypje para se me hy këtu takova një djalë serb, ai më përshëndeti shqip e unë ata serbisht. Po mos të ndërhynte politika në jetët tona, ne shumë mirë do të jetonim në paqe”- tha Mripa.

Diskutimi pë “Edukimin për Paqe dhe Rini” – Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Gërshtimi mes edukimit formal dhe joformal dominoi diskutimet në këtë panel.

Prorektorja e Universitetit, Edita Bekteshi, foli për rolin e Universitetit sa i përket ndërtimit të paqes. Ajo potencoi se është detyrë e  secilit universitet kultivimi i kësaj gjendjeje qetësie dhe harmonie e cila mban emrin “paqe”.

“Paqe, fjalë e shkurtër njërrokëshe që tingëllon bukur në të gjitha gjuhët. Paqja fillon në gjirin familjar, të mësuarit për tolerancë, dashuri, respekt e gjithëpërfshirje. Të gjitha këto promovojnë paqe. Në fillim në familje e pastaj vazhdojnë gjatë gjithë jetës. Faktori kyq që mund të bëjë ndryshime për të mirën e shoqërisë tonë është rinia. Rinia dhe paqja janë dy faktorë shumë të rëndësishëm që ndikojnë në sigurinë, mirëqenien, rrethin e Mitrovicës, në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor por edhe më gjerë. Në Universitetin e Mitrovicës e kemi “Edukimin për Paqe”, ka fakultete, programe e tema që diskutohen”- tha Bekteshi.

Dekani i Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Bekim Baliqi, tha se ky drejtim ofron lëndë ku pasqyrohet “Edukimi në Paqe”.

“Në Fakultet Filozofik ofrohen lëndë që kanë të bëjnë me barazi gjinore, moralit, etikës, ka lëndë për drejtësi tranzicionale. Mundohemi të jemi afër komunitetit dhe të kultivojmë paqen”- tha profesori.

Rrezarta Zhinopotoku Behluli, eksperte e Arsimit në fushën e edukimit për paqe, tha se kjo temë do të duhej të integrohej në kurrikulat mësimore në shkolla.

“Këtu është një sistem ose një mbështetje shumë komplekse. Janë shumë elemente të cilat institucionet edukativo-arsimore duhet me i ofru. Une vetë vij prej një sistemi arsimor të viteve të ’80-ta. Unë i kam pasë në kopsht dy mësuese, një serbe, një shqiptare. Kjo më ka ndihmu me qenë ma mendjehapur që me i pranu komunitetet e tjera. Kurrikulat shkollore do të duhej ta prakiktojnë Edukimin në Paqe. Sot jemi dëshmitarë se nxënësit po përjetojnë dhunë brenda shkollës. Prandaj Edukimi për Paqe është një temë e domosdoshme që të integrohet në planet në shkolla”- tha ekspertja e arsimit.

E që shkollat ta kenë një lëndë të veçante mbi Edukimin në Paqe u pajtua edhe profesori i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, Mensur Morina.

“Po ne nuk duhet të presim te pjesa e formësimit individual. Në këtë rast do të ishte mirë që pjesë e kurrikulës të jetë një lëndë e veçantë “Edukimi për Paqe”. Të thirrur si profesor nuk mund të japim më të mirën për promovimin e paqes sepse e kemi kurrikulën e kufizuar. Do të ishte më mirë që të jetë një numër më i madh i studentëve të pranishëm këtu sot”- u shpreh Morina.

Drejtoresha e Organizatës “Comminity Building Mitrovica” tha se organizata të cilën ajo e drejton ka për qëllim bashkëpunimin mes komunitetit shqiptar dhe atij serb.

“Më erdh mirë me i dëgju gjithë këto nisma të mira. Situta tani për tani nuk është më e mira, është përkeqësu më së shumti më 24 shtator kur ndodhi rasti i Banjskës. Pra kjo nuk i ka kontribu çështjes së paqes në Mitrovicë. Jemi që nga viti 2001 dhe nuk jemi ndalë me punu në këtë drejtim. Interesi i përbashkët i komuniteteve të ndryshme është me mësu diçka bashkë, me dalë në ndonjë aktivitet bashkë. Edhe pse gjendja ka qenë e vështirë gjithsesi kemi pasë pjesëmarrës serbë. Kur i kemi pyet se pse po merrni pjesë në organizatë, përgjigjja e tyre ka qenë: “Po dojmë me u largu prej realitetit”- përfundoi drejtoresha e CBM.

Diskutimi pë “Edukimin për Paqe dhe Rini” – Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Diskutimi për “Edukimin për Paqe dhe Rini” – Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Diskutimi pë “Edukimin për Paqe dhe Rini” – Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com