Mitrovicë, marrëveshje për ndërtimin e dy shtëpive për familje në nevojë

Dy shtëpi janë planifikuar të ndërtohen për familjet në nevojë në Komunën e Mitrovicës.

Nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, sot ka pritur në një takim pronarin e kompanisë “Remo Com”, Vehbi Mulliqi, me të cilin ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për ndërtimin e dy shtëpive nga kjo kompani.

Sipas njoftimit të Komunës së Mitrovicës këto shtëpi do të ndërtohen për  familjet që nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit.

Sipas njoftimit të Komunës së Mitrovicis me nënshkrimin e këtij memorandum, kompania në fjalë do të ndërtoj këto dy shtëpi brenda afatit kohor prej 6 muajsh, kurse Komuna e Mitrovicës merr përsipër sigurimin e tokës ndërtimore në lagjen “Frashër”, ku do të ndërtohen shtëpitë me qasje dhe infrastrukturë rrugore, elektrike dhe hidrosanitare.

Nënkryetari, Faruk Mujka, në emër të komunës, dhe të gjithë qytetarëve falënderoi pronarin e kësaj kompanie për zemërgjerësinë dhe gatishmërinë e tij për t’i ndihmuar ato familje të cilat kanë nevojë dhe jetojnë në kushte të rënda të banimit, dhe shpreson që ky shembull i mirë i treguar nga Mulliqi të jetë udhërrëfyes për të tjerët që kanë mundësi të ndihmojnë.

Ndërsa përzgjedhja e familjeve do të bëhet përmes konkursit publik nga komuna, dhe do të formoj komision që do të shqyrtoj kërkesat, duke zgjidhur familjet në bazë të kritereve të përcaktuara me ligj.

Në fund të dy palët u dakorduan që të vazhdojnë edhe në të ardhmen të ndihmojnë qytetarët e Mitrovicës me projektet të përbashkëta, duke i zgjidhur problemin e banimit familjeve të cilat vërtetë kanë nevojë.