Mitrovicë, ish-zyrtarët e komunës dëshmojnë në gjykimin e ish-drejtorëve të arsimit

Tre zyrtarë të Komunës së Mitrovicës janë ftuar në gjykatë për të dëshmuar në lidhje me rastin ku të akuzuar janë dy ish-drejtorë të Komunës së Arsimit.

Ajmane Barani po akuzohet për keqpërdorim të detyrës pasi sipas prokurorisë kishte shkelur të drejtat e barabarta të kandidatëve për mësimdhënës të gjuhës frënge në këtë komunë.

Kurse i akuzuari tjetër, Pajazit Hajzeri, po ashtu ish- Drejtor i Arsimit akuzohet se ka bërë falsifikim të dokumentit zyrtar.

I dëmtuar në këtë proces është kandidati për atë pozitë, Naim Bunjaku.

Dëshmitarët e ftuar sot thanë se nuk kishin dijeni nga kush ishin nënshkruar procesverbalet përmes  të cilave në mënyre të jashtëligjshme ish- drejtorëve të arsimit në Mitrovicë iu mundësua punësimi i kandidatëve tjerë dhe jo i atyre që kishin plotësuar kriteret.

Të ftuar si dëshmitarë sot ishin Isa Sejdija, ish-procesmbajtës, Shefkije Dragaj,  ish- zyrtare e DKA-së  dhe Njomza Hamza, anëtare e komisionit për vlerësimin dhe poentimin e kandidatëve.

Dëshmitari Isa Sejdija ka thënë se kandidati Bunjaku ka qenë më i miri ndër kandidatët e tjerë për arsimtar të gjuhës frënge.

Ai tha se nuk e kishte hartuar vendimin për rastin konkret por vlerësimin se kandidati Naim Bunjaku kishte qenë më i miri e thotë duke u bazuar në kualifikimin e tij profesional.

Shefkije Dragaj, ish-zyrtare e DKA-së në Mitrovicë deklaroi se ajo e kishte njoftuar të dëmtuarin Naim Bunjaku përmes telefonit se ishte pranuar si arsimtar i gjuhës frënge.

Po ashtu dëshmitarja Dragaj ka thënë se nga anëtarët e komisionit kishte dëgjuar se drejtoresha ju kishte thënë këtyre të fundit që mos ta bënin poentimin dhe vlerësimin e kandidatëve menjëherë por ta bëjnë më vonë.

Në anën tjetër Njomza Hamza, e cila kishte qenë pjesë e komisionit për vlerësimin e kandidatëve tha se komisioni përbëhej nga tre anëtarë ku përfshihej edhe drejtori i atëhershëm i gjimnaz “Frang Bardhi”, Ismet Ferizi, Isa Sejdiu zyrtar në drejtorin e arsimit dhe vet ajo.

Gjithashtu,  Hamza ka theksuar se anëtari i komisionit Isa Sejdiu kishte qenë edhe në cilësinë e procesmbajtësit.

Ajo theksoi se poentimin lidhur me kandidatët nuk e kishin bërë atë ditë për arsye se siç ka thënë ajo, kishte qenë fundi i orarit të punës dhe pas konsultimit që kishin bërë me drejtoreshën të akuzuarën Ajmane Barani, e kishin lënë për një ditë tjetër.

Por duke u përgjigjur në pyetjen e prokurores ajo ka thënë se më asnjëherë nuk ishte ftuar nga drejtoresha që të shkojnë dhe t`i japin poenat në atë procesverbal.

Kur prokurorja Bajrami – Shala ia ka prezantuar një kopje të faqes së fundit të procesverbalit dëshmitares Hamza ku shiheshin pikët të cilat ajo i kishte dhënë për kandidat, dëshmitarja ka mohuar një gjë të tillë.

“Sa i përket këtyre pikëve, këto pikë nuk janë që unë i kam dhënë dhe nuk më është ofruar që ta nënshkruaj. Këto pikë unë i kam parë për herë të parë kur është bërë ankesa nga ana e të dëmtuarit”, tha Hamza.

Ajo tutje ka thënë se nuk është në dijeni se kush e ka nënshkruar dhe kush e ka vulosur këtë procesverbal, duke shtuar se nuk e dinte as se ankesa e të dëmtuarit Bunjaku, ishte shqyrtuar nga Drejtori i Arsimit tani i akuzuari, Pajazit Hajzeri.

Pas dëgjimit të tre dëshmitarëve seanca ka përfunduar kurse seanca e radhës nga turpi gjykues u caktua për 27 nëntor.

Në seancën e ardhshme pritet të dëgjohen dëshmitarët ish- inspektori i punës, Faik Jashari dhe ish- drejtori i gjimnazit “Frang Bardhi”, Ismet Ferizi.

Akuza e Prokurorisë

Ajmane Barani nga Prokuroria e Mitrovicës akuzohet se në cilësin e Drejtoreshës së Arsimit kishte kryer dy vepra penale “ keqperdorim i pozotes apo autritet zyrtar “ dhe “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.

Kurse i akuzuari tjetër Pajazit Hajzeri, po ashtu ish- Drejtor i Arsimit akuzohen nga prokuroria se ka kryer veprën penale falsifikim i dokumentit zyrtar.

Sipas aktakuzës në Mitrovicë, derisa anëtarët e komisionit për vlerësim dhe poentim Njomza Hamza dhe Isa Sejdija në cilësinë e procemabjtësit, ishin mbledhur që t’i intervistojnë kandidatët për gjuhën frënge, e pandehura Ajmane Barani iu kishte thënë që të mos e bënin poentimin sepse këtë do ta bënin më vonë, dhe për këtë antarët Hamza dhe Sejdija nuk e kishin nënshkruar procesverbalin.

Në ditën e njëjtë, prokuroria në akuzë ka shpjeguar se i dëmtuari Naim Bunjaku ishte lajmëruar nga zyrtarja e DKA-së, Shefkije Dragaj se është pranuar si mësimdhënës i gjuhës frënge, pozitë në të cilën ai ka filluar punën si mësimdhënës.

Por Bunjaku me 7 shtator 2015, ishte njoftuar nga drejtoresha e Arsimit, përkatësisht tani e akuzuara Barani se “nuk ka buxhet dhe orët do t’ia ndajë arsimtarëve të tjerë”.

Kurse me datën e njëjtë ishte shpallur lista e punëtorëve të pranuar, ku thuhet se nuk është përfillur afati i ankesës, siç shkruan 15 ditë, por menjëherë kishte filluar punën kandidatja Luljeta Ibrahimi.

Ndërsa në procesverbalin e panënshkruar nga anëtarët e komisionit shihej se pikët më të larta tani i ishin dhënë Luljeta Ibrahimit dhe atë 30 pikë, ndërsa të dëmtuarit Naim Bunjaku 29 pikë. Për këtë arsye edhe ishte anuluar ky konkurs.

Më këtë, Ajmane Barani akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa i pandehuri Pajazit Hajzeri akuzohet se më 14 tetor 2015, në cilësinë e ish-Drejtorit të Arsimit, me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare ka vërtetuar dokumentin zyrtar dhe atë procesverbalin e “Gjimnazi- Frang Bardhi” në Mitrovicë, pikërisht vendimin për lëndën edukatës fizike dhe për lëndën gjuhë frënge, për kandidatët kinse janë poentuar dhe themeluar marrëdhënie pune, pasi që kanë marrë pikët kinse nga anëtaret e komisionit.

Ndërsa siç thuhet në akuzë ky dokument ishte pa datë dhe i pa nënshkruar nga anëtaret e komisionit.

I akuzuari Hajzeri ka vulosur procesverbalin e lartcekur, të cilin e ka anuluar Inspektorati i Punës.

Me këtë, Pajazit Hajzeri, akuzohet për veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar”.