Foto: Policia e Kosovës

Mitrovicë e Veriut - Policia gjen armë e pajisje për prodhimin e kriptovalutave

Policia e Kosovës ka gjetur, më 22.01.2025, armë, pajisje për prodhimin e kriptovalutave dhe pajisje të tjera të dyshimta në rrugën “Kollashini”, në Mitrovicë të Veriut.

“Një armë e gjatë (pushkë ajrore), pesë kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave me pajisje përcjellëse, dyzet e dy minera për prodhim të kriptovalutave me pajisje përcjellëse, një shtëpizë e kompjuterit, një karikator i revoles, katërmbëdhjetë fishekë të revoles kalibri 9 mm, një radiolidhje, një  kamerë vëzhgimi; divijar, vulë metalike dhe letërnjoftim.” – këto janë gjetur sipas njoftimit të PK-së.

Sipas Policisë, aparatet për prodhimin e kriptovalutave do t’i dorëzohen Doganës së Kosovës. Ndonëse të arrestuar nuk ka ende, organet e rendit njoftojnë se është identifikuar një person.

“Në vendin e ngjarjes nuk është hasur ndonjë person i dyshuar, mirëpo është identifikuar një person dhe i cili është me interes për Policinë që të intervistohet. Në lidhje me rastin, është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit ‘’mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.” – thuhet në njoftim.

Policia përfundon se vazhdon të mbetet e përkushtuar për ofrim të shërbimeve, ndaj të gjithë komunitetit pa dallim.