Djegia e "lodrës" e cila kishte për qëllim ndërgjegjësimin për mbrojtjen e lumenjve, Foto: KALLXO.com

Mitrovicë, digjet gogoli që kishte për qëllim ndërgjegjësimin për ruajtjen e lumenjve

Në orët e mbrëmjes, më 03.12.2024, është djegur gogoli që ishte vendosur afër lumit Ibër sot gjatë ditës.

Gogoli ishte formësuar nga organizata ‘7 Arte’ nga mbetjet e mbeturinave të mbledhura në lumenjtë e Mitrovicës.

Në mbrëmje, ekipi i Policisë dhe i Zjarrfikësve u panë në vendin e ngjarjes në parkun “Kej” në Mitrovicë të Jugut.

Shefi i ndërrimit i Zjarrfikësve, Armend Musa, tregoi për KALLXO.com se kanë intervenuar dhe kanë shuar zjarrin.

“U maru në formë të një njeriu me dru të pishës mirëpo nuk kish pasë diçka rrezik, veç ish kanë duke qitë tym, pak zjarr. Neve na ka thirrë Policia, një lodër thanë po kallet. Ne intervenum, e ndalëm zjarrin”- tha ai.

Organizata “7 Arte” ka vendosur gogolin për vetëdijësimin e qytetarëve për të mos hedhur mbeturina në pasuritë e natyrës siç janë lumenjtë.

“Gogoli ngre krye nga mbetjet e lumenjve të Mitrovicës. Jo nga bora. Jo nga kashta. Por, nga mbeturinat, nga mbetjet e neglizhencës tonë. Uji, thelbi i jetës, i helmuar nga duar njerëzish. Ky totem qëndron si paralajmërim, dëshmitar i shkatërrimit tonë. Shiko mirë – këtë kemi lënë prapa!”- thuhet në njoftimin e organizatës.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës për të marrë një përgjigje se a ka qenë zjarrvënie e qëllimshme, a ka të dyshimtë dhe a ka të lënduar mirëpo deri në momentin e publikimit të artikullit Policia nuk ka kthyer përgjigje.

Djegia e “lodrës” e cila kishte për qëllim ndërgjegjësimin për mbrojtjen e lumenjve,
Foto: KALLXO.com
Djegia e “lodrës” e cila kishte për qëllim ndërgjegjësimin për mbrojtjen e lumenjve,
Foto: KALLXO.com