Mitrovicë-Burri akuzohet se e plagosi, gruaja kërkon nga Gjykata t’ia falë

Një grua nga Mitrovica u plagos në të dy këmbët pas një incidenti që kishte me bashkëshortin e saj.

Prokuroria e Mitrovicës po e akuzon burrin me inicialet N.N se tentoi ta vrasë bashkëshorten M.M pasi e njëjta ishte kthyer në shtëpi pas ndarjes.

Në seancën e sotme gjyqësore, gruaja kërkoi që Gjykata ta lirojë bashkëshortin e saj pasi edhe vet  ia kishte falur.

Sipas akuzës, në prill të këtij viti, i dyshuari në oborrin e tij në Mitrovicë me dashje ka tentuar ta vrasë bashkëshorten.

Prokuroria pretendon se çifti kishte pasur një konflikt verbal pas ndarjes e cila ishte bërë sipas traditave zakonore kurse procedura e divorcit ishte në proces gjyqësor.

Aktakuza përshkruan se e dëmtuara kishte shkuar në shtëpinë e të pandehurit me qëllim që t’i kërkojë falje dhe të kthehej prapë.

“Me të hyrë në oborr i dyshuari i cili kishte qenë në terasë të shtëpisë dhe derisa e dëmtuara i kishte thënë “ A je lodh “i dyshuari ia kishte kthyer “ a erdhe a “, e dëmtuara ishte përgjigjur “ po jam kthy te ti dhe te fëmija””, përshkruan aktakuza.

Në atë rast, gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri kishte nxjerrë armën e cila kishte pasur dy fishekë dhe ka shtënë dy herë në drejtim të të dëmtuarës.

Tutje në akuzën e Prokurorisë thuhet se dy predhat e kishin goditur në të dy këmbët duke i shkaktuar plagë, ndërsa pas kësaj i pandehuri kishte telefonuar policinë.

Me këtë, i dyshuari akuzohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, kurse për shkak të posedimit të armës akuzohet se ka kryer veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Në seancën e mbajtur në Gjykatën e Mitrovicës i akuzuari u deklarua se nuk ndihej fajtor për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentative, derisa për veprën e dytë e kishte pranuar fajësinë që në seancën e shqyrtimit fillestar.

Gjatë seancës u dëgjua edhe dëshmia e të dëmtuarës, gruas së të akuzuarit.

“Deri në atë ditë nuk kemi pasur asnjë problem, atë ditë unë jam kanë fajtore, unë jam kanë iniciatorja e ndarjes, unë  e kam ba një gabim të madh karshi burrit dhe për atë shkak kemi ardhë deri te ndarja, unë kam qenë fajtore për këtë ndarje, këtë problem “, tha M.M.

Tutje ajo shpjegoi se në prill të këtij viti kishte shkuar në shtëpinë e burrit pa paralajmërim.

“ Unë kam shku në shtëpinë e burrit, pa e lajmëru fare që po shkoj. Në atë kohë na kena qenë të ndarë dhe unë kam shku, ky kishte qenë ulur në ballkon ish kanë mërzitshëm, kom nejt pak te dera e kom kqyr ish kanë mërzitshëm, pastaj kam hy në oborr dhe i kom ra befasi këtij se pa lajmëru pa kurgjo, edhe ky ka mendu që kom shku me naj qëllim të keq, edhe u ngrit në këmbë u afrua te gepeku i automjetit – kombit, edhe unë kam shku drejt tij”, rrëfeu e dëmtuara.

Ajo tutje tregoi se si ndodhi plagosja.

“…Nuk e di qysh ka ndodhë, ka ndodh shumë shpejt pa paramendim kanë ndodhë dy të shtëna që unë jam qëllu me to, në pjesën e poshtme të trupit – konkretisht në këmbën e majtë, pastaj u afrua bashkshorti mi ka la sytë edhe më jep ndihmë, pastaj e ka thirrë ambulancen edhe policinë dhe i ka njoftu për rastin “, tha dëshmitarja.

Prokurori i rastit Ismet Ujkani pas dëgjimit të kësaj deklarate ka deklaruar se mbetej në tërësi pranë asaj çka thuhej në aktakuzë duke kërkuar nga gjykata që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

“ Dashja është subjektive mirëpo nga fakti se i pandehuri ka shtënë pa paralajmërim dhe ka qenë i pajisur me pistoletë dhe pas goditjes së parë të dëmtuarës e njëjta është rrëzuar në tokë, e ku i pandehuri ka shtënë edhe herën e dytë edhe predha e dytë e ka goditur të dëmtuarën ndërsa më tepër municion-fishek nuk ka pasur në pistoletë i pandehuri, pa dyshim rrjedh se dashja e të pandehurit ka qenë që të dëmtuarën ta privojë nga jeta, me çka ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet sipas aktakuzës “, ishin disa nga fjalët e prokurorit Ujkani.

Fjala e Ujkanit u mbështet edhe nga mbrojtësi i viktimave Eron Prekazi, derisa bashkëshortja e të akuzuarit ka shperthyer në lot, duke kërkuar nga Gjykata që të lirohet burri i saj apo t’i shqiptohet ndonjë masë më e butë.

“ Nuk kërkoj kurrfarë dëmshpërblimi dhe kërkoj me liru se i kena fëmijët e vegjël, nuk po mundem me ia dalë vetë, nuk kemi kurfarë të ardhurash…ju kisha lut që t’i shqiptoni një masë më të butë, fëmijët po e kërkojnë babin “, tha e dëmtuara.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Gani Rexha ka kërkuar nga Gjykata që të rishqyrtohet rikualifikimi juridik i veprës penale, pasi që sipas tij kualifikimi juridik i veprës penale vrasje e rëndë në tentative nuk përputhet fare me

“ Si mund të kualifikohet vepra vrasje e rëndë në tentativë në rastin kur pas plagosjes së të dëmtuarës i akuzuari e hedh revolen në tokë e thirr ne emër të dëmtuarën e freskon më ujë të ftohtë, njofton policinë dhe ndihmen e shpejt që ti jap ndihmë”, tha avokati.

Ai i propozoi Gjykatës që të akuzuarin “ta shpall fajtor për veprën penale plagosje e lehtë nëse Gjykata e pranon këtë kualifikim”

Avokati ka treguar se  i akuzuari është duke jetuar bashkë me të dëmtuarën ia kanë falur njëri tjetrit gabimin.

“Të njëjtit tani kalojnë në harmoni me njeri tjetrin andaj mendoj se koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak do të jetë e mjaftueshme dhe ka ndikuar mjaft në rehabilitimin e të akuzuarit “, tha Rexha.

Pas dhënies së fjalës përfundimtare turpit gjykues me kryetar Sinisha Mandushiq dhe anëtarë Beqir Halili e Tomislav Petroviq kanë njoftuar se gjykimi në këtë çështje ka përfunduar në tërësi ndërsa shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet në Gjykatën e Mitrovicës.