
ILUSTRIM - Polic i Kosovës- foto: Fatrion Ibrahimi -KALLXO
Mitrovicë, asnjë vrasje më 2019
Drejtoria Rajonale e Policisë e Mitrovicës së Jugut ka prezantuar raportin vjetor të punës për vitin 2019.
Sipas këtij raporti, në rajonin e Mitrovicës së Jugut më 2019 nuk është evidentuar asnjë vrasje.
Drejtoresha rajonale e Policisë. kolonel Afërdita Mikullovci, ka prezantuar të arriturat dhe sfidat me të cilat u përball institucioni i saj gjatë vitit 2019.
Rezultatet e sukseset e arritura, Mikullovci ua dedikoi të gjithë zyrtarëve policorë.
Po ashtu, ajo tha se sukseset janë edhe rezultat i bashkëpunimit të mirë me qytetarët, me komunat si edhe me të gjitha institucionet e tjera relevante.
Policia e Mitrovicës përmes një komunikate ka treguar të arriturat e saj gjatë vitit 2019.
Në këtë raport thuhet se numri i rasteve të përgjithshme ka shënuar rënie për 12.6%, veprat penale kanë shënuar rënie për 22%, ndërsa veprat penale kundër jetës dhe trupit kanë shënuar rënie për 4.2%.
Tutje në këtë raport vjetor të Policisë së Mitrovicës thuhet se veprat penale kundër pasurisë kanë shënuar rënie për 20%, vjedhjet për 21%, vjedhjet e rënda për 31%, e vjedhjet në tentativë për 32 për qind.
Ulje për gjithë vitin 2019 sipas Policisë kanë shënuar edhe lëndimet trupore (për 11.5%), grabitjet për 27%, aksidentet me fatalitet kanë shënuar ulje për 66%.
Ndërsa zbulimi i veprave penale, sipas Policisë, ka arritur mbi 77%.