Mitrovicë, arrestohen 5 persona që u përfshinë në një rrahje me shufra metalike

Policia në Mitrovicë ka arrestuar pesë persona që dyshohet se u përfshinë në një rrahje në rrugën “Bislim Bajgora”.

Fillimisht policia kishte pranuar një raportim rreth orës 03:30 për rrahje mes disa personave dhe më pas kishte dalë në vendin e ngjarjes.

Policia në vendin e ngjarjes ka takuar pesë persona të dyshuar, të involvuar në rrahje, dhe si provë materiale ka konfiskuar dy shufra metalike të cilat dyshohet që janë përdorur në rast.

“Personat e lënduar janë dërguar në Spitalin Rajonal Mitrovicë Jugu dhe kanë marrë tretmanin mjekësor, ku pas marrjes se tretmanit mjekësor të pesë personat e dyshuar janë shoqëruar në Stacionin Policor Jugu”, është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës në Mitrovicë.

Pas intervistimit të pesë të dyshuarve, me urdhër të prokurorit të rastit iu është caktuar masa e ndalimit policor 48 orë, dhe ndaj tyre është iniciuar rasti për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.