Mitrovicë, 88-vjeçari Bahtijar Bahtiri shpallet vullnetar i vitit

Bahtijar Bahtiri, 88-vjeçari nga Mitrovica, i cili rregullon rrugët dhe gjithçka që sheh keq në infrastrukturën rrugore, është shpallur vullnetar i vitit.

Ky çmim për Bahtirin është dhënë nga organizata REC dhe Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport, e cila ka filluar këtë vit për herë të parë të ndajë çmimin vjetor për vullnetarizëm, si mirënjohje për qytetarët aktivë të Mitrovicës për vullnetin dhe punën e tyre vullnetare dhe si nxitje për qytetarët që të aktivizohen edhe më shumë në përmirësimin e jetës në komunitet.

“Patëm nderin që  çmimin për aktivizëm qytetar në komunën e Mitrovicës për 2020 t’i ndajmë z. Bahtijar Bahtiri, aktivistit më të denjë të qytetit “, thuhet në njoftimin e kësaj organizate.

Bahtiri, plaku mitrovicas është i njohur për sanimin e pjesëve të ndryshme të dëmtuara në qytet.

KALLXO.com në shtator të këtij viti kishte realizuar një intervistë me të, ku ka rrëfyer me gjerësisht për jetën dhe aktivitetin e tij.

Po ashtu, çmimin aktiviste e vitit për aksione në mbrojtjen e ambientit në qytetin e Mitrovicës e ka marrë Arta Ibishi Çitaku, e cila njihet në qytetin e Mitrovicës për organizimin e aktiviteteve vullnetare për pastrimin e pjesëve të ndryshme të qytetit për çdo fundjavë.