Mitrovicë, 11 nxënës në spital nga spreji djegës

Njëmbëdhjetë nxënës të shkollës së mesme teknike “ Arkitekt Sinani “ në Mitrovicë, kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Nxënësit dyshohet se janë helmuar sot gjatë mësimit duke shfaqur simptoma të djegies të syve, por pas pas trajtimit mjekësor janë liruar.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Sipas tij, dyshohet se njëri prej nxënësve të kësaj shkolle ka spërkatur sprej gjatë pushimit në njërën prej klasëve, me ç’rast ka shkaktuar djegie në sy tek disa nxënës.

“ Policia po merret me rastin, një person e kanë identifikuar dhe i njëjti është duke u intervistuar në polici, nën dyshimin se ka përdorur sprej në njërën prej klasave të shkollës së mesme teknike, por jemi duke pritur edhe raportin e prokurorisë. Rreth 11 nxënës janë paraqitur të mjeku ndërsa pas trajtimit të gjithë janë liruar dhe janë mirë “, tha Zahiti.