Foto: KALLXO.com

Mitrovica feston traditën e saj me festivalin e parë të kulturës dhe pasurive nëntokësore

Në Mitrovicë të Jugut ka nisur edicioni i parë i festivalit “Promovimi i traditave dhe kulturës mitrovicase”, një ngjarje që synon të nxjerrë në pah thesaret e pasura kulturore dhe historike të këtij qyteti.

Ky festival është një mundësi për t’u njohur me traditat, artin dhe historinë nëntokësorë që e bën Mitrovicën një qytet të veçantë.

Valbona Sadiku, drejtoresha e organizatës “CECD-FRIENDS”, tha për KALLXO.com se ky është festivali i parë për të shpalosur traditën e qytetit të Mitrovicës.

“Ky festival është krijuar nga bashkimi i forcave të organizatave dhe me Komunën e Mitrovicës së Jugut, ku qëllimi kryesor  është promovimi i traditave, ku gratë ndërmarrëse të Mitrovicës prodhojnë, traditën, kulturën, ushqimin të gjitha së bashku në një vend” – ka thënë Sadiku.

Ajo tutje shtoi se ky festival do të zgjatë shtatë ditë dhe të gjithë të interesuarit do të mësojnë pak nga pak historinë e kulturës mitrovicase.

Në këtë festival të pranishëm do të jenë edhe komunitete të tjera, organizata, dhe minatorët e qytetit, tha Valbona Sadiku.

“Në këtë festival kemi edhe nga pakicat, si boshnjakë, turq, organizata të ndryshme si “CECD-FRIENDS”,” Bussines Women Mitrovica” dhe “Gratë e Minatorëve”, dhe minatorët të cilët shpalosin bukuritë e nëntokës së Mitrovicës”- tha Valbona Sadiku.

Valbona Sadiku tha se në këtë festival janë të angazhuara 38 gra, duke promovuar punën, kulturën dhe traditën mitrovicase.

Ajo se çfarë e bën më të veçantë këtë festival sipas Sadikut, është ciceroni i cili do t’u flasë për historinë të gjithë të interesuarve.

“Gjatë gjithë kohës do të kemi një ekspert i cili do të tregojë më shumë për ushqimet tradicionale, punimet e  dorës dhe veshjet kombëtare, punimet artizanale të krijuara nga materialet e riciklueshme, pemët dhe perimet, pasuritë nëntokësore, që janë pjesë e këtij festivali”-shtoi Sadiku.

Drejtoresha e “CECD-FRIENDS” tha se festivali i parë ka pasur përkrahje nga Komuna e Mitrovicës dhe Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport.

Rukije Hajdari, një grua ndërmarrëse në qytetin e Mitrovicës, këtë festival e kishte hapur me punime dore dhe punime me gjilpërë.

“Krejt këto janë punime dore edhe me gjilpërë, krejt vet i punoj”-tha për KALLXO.com Rukije Hajdari.

Se interesimi i qytetarëve ishte i madh dhe se për çfarë ishte e tregoi edhe vetë Rukije Hajdari.

“Të interesuar po janë, por me ble jo, më shumë po u intereson për sene tradicionale, si këto të stinës së dimrit, çorape të leshta, bluza të leshta, këmisha”- ka thënë Hajdari.

Melihate Beshiri nga organizata “Bussines Women Mitrovica”, në një bisedë për KALLXO.com tha se ky është viti i parë që kanë sjellë një ndryshim në këto punime.

“Ky është viti i parë që e bëjmë në këtë mënyrë, në vitet e tjera kemi pasur përmes panaireve, e ndërsa tash i kemi grumbulluar të gjitha dhe jemi në këtë festival”-tha Beshiri.

Ajo tha se çfarë pritet  nga ky festival është që asnjëherë mos t’i harrojmë traditat tona.

“Pres që gratë sa më shumë me punu, asnjëherë traditën mos ta harrojmë, gratë e Mitrovicës kanë një traditë të veçantë si në ushqim, veshje, në kulturë”- shtoi Melihate Beshiri.

Historinë e minierës “TREPÇA”, minatori Aziz Neziri, kishte vendosur që ta shpalosë përmes festivalit. Ai tregon për dallimet mes një bote ku çdo gur kishte vlerë dhe të një kohe ku rreziku dhe lodhja ishin shokë të pandarë.

“Kam punuar 40 vite në minierën “Trepça”, dallimet janë të mëdha, atëherë gjithçka ishte ndryshe, ndërsa pas lufte minierën e kemi gjetur në një gjendje të vështirë” – tha Aziz Neziri.

Ai tha se në këtë festival janë këtu  për të treguar pasurinë nëntokësore të Mitrovicës dhe bukurinë e kristaleve për të gjithë të interesuarit.

“Në këtë festival jena për krejt, më së pari për kristalet që i kemi prej kristali të galenit, kfarcë, ky kristali tjetër është krejt dukat, krejt këto kristale janë të nxjerra pas lufte”- ka përfunduar Neziri.

Festivali “Promovimi i traditave dhe kulturës mitrovicase” do të zgjasë shtatë ditë duke e shndërruar atë në një destinacion të rëndësishëm për kultivimin dhe promovimin e kulturës dhe traditës.

Foto: KALLXO.com