Mitrovica e Veriut pritet të shkojë në zgjedhje nëse votohet qeveria Hoti

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës pritet të votohet Qeveria e re nën udhëheqjen e Avdullah Hotit.

Kryeministri në ardhje Hoti në ekspozenë e tij ka paraqitur kabinetin qeveritar, të cilin do ta udhëheqë ai.

Hoti ka propozuar  në pozitën zëvendës-kryeministrit dhe Ministrinë e Pushtetit Lokal, Goran Rakiç  nga Lista Serbe i cili momentalisht udhëheq Mitrovicën e Veriut.

Me emërimin e Rakiq, Mitrovica e Veriut do të shkojë në zgjedhje të parakohshme për kryetar të Komunës, pasi ai duhet të japë dorëheqje për shkak të detyrës së re.

Ligji për Vetëqeverisje Lokale në nenin 56 pika 3, sqaron se kur përfundon mandati i kryetarit të komunës:

  1. a) kur ta kryejë mandatin e tij;
  2. b) nëse vdes;
  3. c) nëse jep dorëheqje;
  4. d) nëse ndërron vendbanimin në komunë tjetër;
  5. e) nëse nuk paraqitet në punë për më shumë se 1 muaj pa arsye;
  6. f) nëse shkarkohet nga detyra në pajtim me këtë ligj;
  7. g) në rast të vendimit përfundimtar të gjyqit që e privon kryetarin e komunës nga cilësia juridike; dhe
  8. h) në rast të dënimit për vepër penale me një urdhër për burgim për gjashtë (6) muaj ose më tepër.

Ndërsa, neni 59 pika 1, flet për konfliktin e interesit:

59.1 Menjëherë pas zgjedhjes së tyre, kryetarët e komunave ndërpresin çdo kontratë apo lidhje që kanë, e cila mund ta vë në pikëpyetje aftësinë e tyre për kryerjen e përgjegjësive të tyre në mënyrë të drejtë dhe të paanshme.

Ai ka qenë ushtrues i detyrës së Kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut që nga viti 2014. Rakiq fitoi mandatin e tij të dytë katër vjeçar në 2017 duke fituar zgjedhjet lokale. Që nga viti 2017, Rakiq është kryetar i Listës Serbe, e cila qeverisë në të gjitha dhjetë komunat me shumicë serbe, si dhe nëntë nga dhjetë vendet parlamentare të garantuara për komunitetin serb.