
Foto: Egzon Sadiku/ Facebook
Mitrovica e Jugut paralajmëron qytetarët: Kush hedh mbeturina në lumë gjobitet deri në 500 euro
Tabela me mbishkrimin: “Nën vëzhgim. Mos hidh mbeturina në lumë. Gjoba deri në 500 euro” janë vendosur në afërsi të lumit Lushta dhe në hapësirat e Liqenit Akumulues në Mitrovicë të Jugut.
Krahas këtij paralajmërimi, edhe drejtori i Mjedisit në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Egzon Sadiku u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos hedhin mbeturina në lumë.
“Për të mbrojtur lumenjtë tanë nga ndotja dhe për të promovuar një mjedis të pastër e të shëndetshëm janë vendosur tabela vetëdijësuese, që nxisin qytetarët të mos hedhin mbeturina në lumë.” – ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Përveç thirrjes për mbrojtjen e lumenjve, komunarët bëjnë thirrje edhe për mbrojtjen e mjedisit me moton: “Mos e shkel barin – ruaj të gjelbrën!”.
“Për të ruajtur hapësirat tona të gjelbëruara dhe për të promovuar një mjedis më të pastër e të shëndetshëm janë vendosur tabela vetëdijësuese, që nxisin qytetarët të mos shkelin barin.” – thuhet në njoftim.
Me Ligjin për Ujërat “ndalohet hudhja e substancave dhe mbeturinave të ngurta, të lëngëta e të gazta, të cilat për shkak të vetive fizike, kimike e biologjike rrezikojnë shëndetin e njerëzve, cilësinë e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore, florën e faunën ujore, vështirësojnë rrjedhjen e ujërave, rrezikojnë objektet dhe pajisjet ujore.”