Sheshi i Mitrovicës së Jugut në prag të Festave të fundvitit, Foto: Arbnora Pllana/ KALLXO.com

Mitrovica e Jugut nis përgatitjet për festat e fundvitit me projektin “Mitrovica Feston”

Mitrovica e Jugut ka filluar përgatitjet për festat e fundvitit me dekorimin e sheshit kryesor të qytetit.

Në kuadër të projektit “Mitrovica Feston”, i cili mbështetet nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, parashihet të organizohen një sërë aktivitetesh në këtë komunë.

“Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport çdo vit e mbështet projektin ‘Mitrovica Feston’ në të cilën parashihen koncertet me një program të pasur kulturor …  Sheshi festiv është hapur nga data 10.12.2024 dhe do të qëndroj hapur deri më datë 10.01.2025”- ka thënë drejtori i kësaj drejtorie komunale, Fahri Jashari.

Në kuadër të këtij projekti, sipas tij, organizatori parasheh edhe dekorimin e vendit ku ndodhin aktivitetet.

Siç bënë të ditur Jashari, ky projekt është mbështetur në kuadër të thirrjes publike për vitin 2024, me ç’rast nga buxheti i Komunës së Mitrovicës së Jugut janë ndarë 8000 euro për “Mitrovica Feston”.

Procesi i përzgjedhjes, sipas Jasharit, është bërë përmes thirrjes publike.

”Procesi i përzgjedhjes është bërë përmes thirrjes publike të shpallur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, ndërsa çështja e menaxhimit të shtëpizave është punë e organizatës përfituese të projektit”- ka shpjeguar Jashari.

Ai ka potencuar se për çështjen e ambientit do të përkujdesen organizatat përfituese.

”Si çdo vit tjetër edhe këtë vit, organizata përfituese do të kujdeset për pastrimin dhe mirëmbajtjen e shtëpizave gjatë periudhës së festave, si dhe do të kujdeset për pastrimin e hapësirës pas përfundimit të projektit”- ka theksuar Jashari.

Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka deklaruar se përfituese për rregullimin e sheshit është shoqata ”Adlibitium”.

”Shuma e fituar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, ka bërë që me kriju disa koncerte në kuadër të festave të fundvitit, ku ndryshe quhet ‘Sheshi Festiv’”- ka thënë për KALLXO.com, drejtori artistik i shoqatës ”Adlibitium”, Arben Ademi.

Ai ka shtuar se ”Sheshi Festiv” është i hapur prej 10 dhjetor deri më 10 janar 2025”.

Shumën e paguar dhe numrin e shtëpizave të vendosura në sheshin ”Adem Jashari” e tregon vetë drejtori artistikë, Arben Ademi.

”Gjithsej janë dhjetë shtëpiza, ndërsa shuma e qirasë për këto shtëpiza është 1000 euro”- thotë ai.

Ademi ka treguar se brenda këtij çmimi përfshihen ”çmimet e energjisë elektrike, pagesa e artistëve, infrastrukturës dhe sigurimi fizik”.

Mënyra e përzgjedhjes së gastronomëve është bërë përmes thirrjes në rrjetin social Facebook.

”Gastronomët janë përzgjedhur përmes një thirrjeje nga shoqata jonë në rrjetin social facebook, ku u është bërë thirrje bizneseve që me huazuar dhe shfrytëzuar një shtëpizë përgjatë kësaj periudhës festive”- përfundon Ademi.

Sheshi i Mitrovicës së Jugut në prag të Festave të fundvitit,
Foto: Arbnora Pllana/ KALLXO.com

Sheshi i Mitrovicës së Jugut në prag të Festave të fundvitit,
Foto: Arbnora Pllana/ KALLXO.com

 

Sheshi i Mitrovicës së Jugut në prag të Festave të fundvitit,
Foto: Arbnora Pllana/ KALLXO.com

 

Sheshi i Mitrovicës së Jugut në prag të Festave të fundvitit,
Foto: Arbnora Pllana/ KALLXO.com