Mitrovica e Jugut - Mbahet mbledhja e radhës e Shtabit Emergjent

 

Komuna e Mitrovicës Jugore, ka mbajtur mbledhjen e radhës me Shtabin emergjent për të diskutuar për gjendjen aktuale dhe raportin e punës për marrjen e masave parandaluese të virusit CoVid-19.

Sipas njoftimit në këtë takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të ekipit të MPBAP-së, nga Policia e Kosovës, FSK-ja dhe AME-ja.

Njoftimi thotë se në këtë mbledhje u bë e ditur se në ditët në vijim do të shpërndahen edhe 1500 pako ushqimore nga Komuna dhe 500 pako ushqimore nga donatorët.

Njoftimi i plotë:

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka mbajtur mbledhje të radhës me shtabin emergjent të Komunës së Mitrovicës, me ç’rast është diskutuar lidhur me gjendjen aktuale dhe shpalosjen e raportit të punës për marrjen e masave parandaluese të virusit COVID-19.

Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësues të ekipit të MPBAP-së, nga Policia e Kosovës, FSK-ja dhe AME-ja.

Fillimisht kryetari Bahtiri ka falënderuar akterët relevantë të shtabit emergjent, dhe Policinë e Kosovës për menaxhimin e suksesshëm të kësaj situate, si dhe të gjithë qytetarët mitrovicas të cilët vazhdojnë të zbatojnë në përpikëri të gjitha masat e marra nga Komuna dhe ato të nivelit qendror, ku falë këtij bashkëpunimi Mitrovica jugore nuk ka ende asnjë rast të konfirmuar me COVID-19.

Po ashtu kryetari Bahtiri potencoi se që nga momenti i shfaqjes së këtij virusi, Komuna e Mitrovicës, dhe donatorë të ndryshëm u kanë dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve të cilët kanë nevojë për pako ushqimore dhe higjienike, dhe se nga këto ndihma nuk do të anashkalohet asnjë qytetar i cili ka nevojë në këtë kohë pandemie.

“Deri më tani janë shpërndarë 1630 pako ushqimore dhe higjienike për familjet në nevojë në Mitrovicë, ditët në vijim pritet të shpërndahen edhe 1500 pako tjera nga Komuna, si dhe 500 pako tjera të dhuruara nga biznesmeni Afrim Zeneli me familjen e tij, për të cilët jemi shumë falënderues dhe mirënjohës”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.

Në këtë mbledhje, anëtarët e shtabit emergjent kanë raportuar për gjendjen aktuale dhe vlerësimin e zbatimit të masave parandaluese të virusit COVID-19, ku është kërkuar nga qytetarët të va hdojnë me zbatimin e të gjitha vendimeve nga niveli lokal dhe ai qendror, duke përfshirë edhe vendimin e fundit e ndërmarr nga Ministria e Shëndetësisë, pasi që ka rëndësi të madhe në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.