Ilustrim - Logot e partive politike kosovare

Domethënia e numrave të partive politike ne zgjedhjet e 6 tetorit

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), përmes hedhjes së shortit ka përcaktuar numrat e partive politike në Kosovë për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Për dallim nga herët e tjera, këtë vit me propozimin e shoqërisë civile në Kosovë, numrat do të jenë të radhitur nga 111 deri në 135.

E këta numra partitë politike, për fushatën e tyre zgjedhore i kanë lidhur me data të rëndësishme si për partinë ashtu edhe për vendin.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), gjatë hedhjes së shortit mori numrin 112 të cilin e cilësoi si numër të shpresës.

“Numri 112 është numri i Partisë Demokratike të Kosovës në këto zgjedhje. Ky është numri i mbështetjes për çdo qytetar. Është numri i shpresës sa herë që ata kanë nevojë për ndihmë. Në këto zgjedhje, ky është numri i një të ardhmeje më të mirë për Kosovën dhe të rinjtë tanë”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Sipas PDK-së, ky numër është i veçantë sepse është zgjedhur nga aktivisti, Çlirim Haziri, djali i Heroit të Kosovës, Xhavit Haziri.

“Këtë numër të fitores sot e ka tërhequr aktivisti i zellshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Çlirim Haziri, i cili është djali i Heroit të Kosovës, Xhavit Haziri, që sot e ka pasur përvjetorin e 21-të të zhdukjes së tij”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje pas hedhjes së shortit mori numrin 126, i cili sipas tyre simbolizon dy data të rëndësishme.

“126 – numri i Lëvizjes në zgjedhjet e 6 tetorit. 12.6. – dita e Çlirimit të Kosovës, 12.6. – dita e themelimit të Lëvizjes”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Tërheqjen e shortit për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), e ka bërë nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, sipas të cilit numri 134 do t`ia siguroj 34 ulëse në Kuvendin e Kosovës. “Lidhja Demokratike e Kosovës garon me numrin 134. Na priftë e mbara.#LDK134 #VjosaePara #34UlëseNëKuvendMëSëPaku”, ka shkruar Haziri në facebook.

Koalicioni parazgjedhor AAK-PSD në zgjedhjet e 6 tetorit do të garoj me numrin 119. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) pas hedhjes së shortit nëpërmjet ka vlerësuar se 119 është numër për 100 përqind shtet.

“119, për 100% shtet”, ka shkruar kjo parti në facebook.

Koalicioni NISMA-AKR-PD e ka quajtur fitues numrin 122 me të cilin do të garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Edhe zyrtarisht koalicioni fitues NISMA-AKR-PD, në zgjedhjet e 6 tetorit do të ketë numrin 122”, është thënë në njoftimin e kësaj partie në “Facebook”.

Kjo është hera e parë që në Kosovë partitë politike janë radhitur nga numri 111 deri në 135. Kjo ka qenë një kërkesë e dy organizatave jo qeveritare në Kosovë, Demokracisë në Veprim dhe Institutit Demokratik të Kosovës për të shmangur votat e pavlefshme. Në zgjedhjet që do të mbahen më 6 tetor për ulëse në Kuvend do të garojnë 20 parti, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur.