Rrefimi i Iran Badallajt dhe misteri i shpërthimit që la të vdekur policin Sami Thaqi

Me pak fjalë Iran Badalli ka mohuar të gjitha pretendimet e  Prokurorisë së Prizrenit se ai është përgjegjës për shpërthimin ku vdiq polici Sami Thaqi e u plagosën dy polic të tjerë.

Krejt çka ka thënë Badallaj në sy të prokurorit është se ai nuk ka gisht në ngjarje dhe ishte larguar nga shtëpia shumë kohë para se policia të shkonte në bastisje dhe të ndodhte shpërthimi.

Mbi 800 gram eksploziv TNT pretendohet se ishin vendosur në derën e shtëpisë së Badallit ndërsa kur polici Sami Thaqi dhe kolegët e tij po nisnin bastisjen eksplozivi kishte shpërthyer duke lënë të vdekur në vend policin Thaqi lënduar dy polic të tjerë dhe një fëmijë 9 vjeç.

Por, përderisa hetimet janë në fazën fillestare dhe prokurorin e rastit, Metush Biraj, e pret një hetim i detajuar dhe shumë i ndjeshëm, janë shumë pyetje që kërkojnë përgjigje se ndodhi ngjarja tragjike.

Cila ishte arsyeja e operacionit në shtëpinë ku ndodhi ngjarja  tragjike ?

 

Mbrëmjen  kur ndodhi shpërthimi në vendin e ngjarjes kishte dalë edhe drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

Sipas drejtorit Qalaj, Policia kishte marrë një thirrje nga familjarët për dhunë në familje si dhe për dyshimet për posedim të lëndëve narkotike nga i dyshuari Iran Badalli.

“Policia i është përgjigjur thirrjes sa më shpejt që ka qenë e mundur, dhe është angazhuar edhe Njësiti i Anti-Drogës”, ka thënë thënë drejtori Qalaj natën kur ndodhi ngjarja.

Kur Njësia e Anti-Drogës po kryente bastisjen, në katin e datë të shtëpisë ka ndodhur shpërthimi me eksploziv “TNT”.

Cilat janë dyshimet fillestare të Prokurorisë ?

 

Prokuroria e Prizrenit po e heton të dyshuarin Iran Badalli në drejtim të tri veprave penale.

Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm – që ka rezultuar me vdekjen e zyrtarit policor Sami Thaqi.

Si dhe dy vepra tjera penale, atë të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm – që ka rezultuar me lëndime të rënda trupore për zyrtarët policorë Artur Mrasori dhe Jetmir Hasanaj, ndërsa gjithashtu Badalli po dyshohet edhe për veprën penale – armëmbajtje pa leje të armëve.

Prokuroria po dyshon se në dhomën e katit të dytë në shtëpinë e tij Iran Badalli ka kurdisur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit “TNT”, ndërsa të njëjtit pas ngjarjes së ndodhur i është gjetur eksploziv në sasi prej 809 gramë.

Sipas Prokurorisë, me rastin e bastisjes nga Policia dhe kontakti fizik me telin detonues ka shpërthyer eksplozivi, me ç’rast ka vdekur polici Sami Thaqi, e gjithashtu lëndime të rënda ka pësuar edhe zyrtari Artur Mrasori.

Çka thotë për ngjarjen i dyshuari Iran Badalli ?

 

Në deklaratën e tij të parë të dhënë para Gjykatës  i dyshuari Iran Badalli ka mohuar të jetë në dijeni për  ngjarjen e ndodhur në shtëpinë e tij.

Në seancën për caktimin e paraburgimit, pasi që të dyshuarit Iran Badalli iu kishin larguar prangat, gjyqtari i procedurës paraprake e njoftoi për arsyen e arrestimit.

“Nuk është e vërtetë”, ka deklaruar i dyshuari Badalli, duke mohuar se është në dijeni të asaj çfarë ka ndodhur dy net më parë.

Iran Badalli ka thënë se ditën kur ka ndodhur ngjarja nuk ka qenë në shtëpi qysh prej orës 15:00.

“Jam largu nga shtëpia e nuk jam kanë aty prej mbasditës, vetëm fëmijët janë kanë në shtëpi”, ka thënë Badalli.

I njëjti ka deklaruar se fillimisht kishte telefonuar vajzën e tij.

“Jemi kanë tu fol edhe është ndal telefoni, kur e kam thirr prapë më është lajmëruar Policia, edhe m’kanë thanë me shku në shtëpi”, ka deklaruar Iran Badalli, duke shtuar se është drejtuar për te shtëpia e tij.

“Qysh ka ndodh ngjarja nuk e di, se pse ka ndodh ashtu”, ka deklaruar Badalli lidhur me ngjarjen e ndodhur në katin e dytë të shtëpisë së tij ku mbeti i vrarë në detyrë polici Sami Thaqi.

KALLXO.com ka siguruar informacione se Iran Badalli dyshohet për tetë vepra penale, shumica prej të cilave kanë të bëjnë me vjedhje.

Sipas të dhënave të siguruara nga KALLXO.com, Badalli akuzohet për një rast të dhunës në familje i cili ka ndodhur me 3 shtator të vitit 2019.

Në lidhje me këtë rast, shqyrtimi i dytë është mbajtur me 15 janar të këtij viti, ndërsa seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 12 shkurt 2020.

Ndaj të dyshuarit Iran Badalli është lëshuar edhe një urdhër mbrojtje më datë 5 tetor të vitit të kaluar.

Përveç akuzave për dhunë në familje, Iran Badalli akuzohet edhe për një rast të kanosjes, i cili ka ndodhur më 14 maj të vitit 2018, aktakuzë kjo e cila është hedhur poshtë.

Në listën e veprave për të cilat akuzohet Badalli janë edhe tri raste të vjedhjeve të shërbimeve komunale.

Në këto tri raste lëndët ende janë aktive.

Iran Badalli akuzohet edhe për një rast të vjedhjes së pyllit, rast ky i cili ka ndodhur më 27 nëntor 2019.

Badalli është person i akuzuar edhe për një vjedhje të rëndë e cila ka ndodhur më 23 tetor të vitit 2018.

KALLXO.com ka siguruar informacion se Iran Badalli ishte i dënuar me 6 muaj burg dh 300 euro dënim me gjobë, për një vjedhje në bashkëkryerje  e cila kishte ndodhur në vitin 2014.

Për këtë vepër penale Badalli ka mbajtur burg prej gjashtë muajsh.

Gjykata e Prizrenit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh që nga momenti i arrestimit.

I dyshuari Iran Badalli do të qëndrojë në masën e paraburgimit deri në një vendim të radhës, masë kjo e cila mund t’i vazhdohet apo t’i zëvendësohet me masa tjera si arresti shtëpiak, e gjithë kjo që hetimi të zhvillohet pa pengesa dhe prania e të dyshuarit të jetë e siguruar gjatë fazës së hetimit.

Intervistimi i të dyshuarit, marrja e një deklaratë më të detajuar nga Iran Badalli  për të sqaruar rrethana të paqarta deri më tani, pastaj intervistimi  i dëshmitarëve tjerë përfshirë këtu zyrtarët policorë që ishin duke zhvilluar bastisjen, dhe sigurimi i provave tjera nga vendi i ngjarjes, janë drejtimet në të cilat Prokuroria e Prizrenit dhe prokurori Metush Biraj do t’i drejtojnë veprimet e tyre për të zbardhur rrethanat si erdhi deri te shpërthimi dhe ngjarja tragjike e ndodhur mbrëmjen e 28 janarit.