Misitri Tahiri pret në takim lamtumirës ambasadorin O’Connell

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka pritur sot në një takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruari O’Connell.

Përmes një komunikate për media, Ministria e Drejtësisë njofton se ministri Tahiri ka falënderuar qeverinë britanike si dhe ambasadorin O’Conell për mbështetjen e dhënë në transformimin e sistemit të drejtësisë.

Sipas ministrit Tahiri, për një kohë të shkurtë është arritur transformimi i fizionomisë së sistemit të drejtësisë dhe në këtë arritje, sipas tij kanë merita edhe partnerët ndërkombëtar.

“Jam falënderues ndaj qeverisë britanike që përmes Ambasadës dhe Ambasadorit Ruari O’Conell, përgjatë këtyre dy viteve, kam pasur mbështetje të vazhdueshme dhe direkte me ekspertë, me koncepte dhe me qasje konstruktive në reformat tona” ka thënë ministri Tahiri.

Ka qenë angazhimi për drejtësi, që sipas ministrit Tahiri, ka bërë që të fitohet respekti i Britanisë, duke u bërë partner i fuqishëm në konsolidimin e sundimit të ligjit.

“Jam i nderuar që kam pasur një partner të tillë si Ruari. Bashkëpunimi i shkëlqyeshëm që kemi pasur, është manifestim i përkushtimit tim si Ministër dhe angazhimit të institucioneve tona për të marrë pronësi dhe përgjegjësi mbi detyrat tona ndaj sistemit të drejtësisë, ndaj institucioneve dhe shoqërisë në tërësi.   Rruga jonë drejt konsolidimit dhe fuqizimit të sundimit të ligjit është e pandalshme. Me punë, e kemi fituar respektin e Britanisë, dhe atë do ta kemi partner të fuqishëm edhe më tutje” ka thënë ministri Tahiri.