Misioni monitorues ENEMO: Raundi i parë i zgjedhjeve lokale në Kosovë u mbajt në mjedis kryesisht të qetë

Misioni Ndërkombëtar i Rrjetit Evropian të Organizatave Monitoruese të Zgjedhjeve (ENEMO) në një konferencë për media, ka prezantuar raportin e gjetjeve dhe konkluzioneve preliminare në lidhje me zhvillimin e raundit të parë të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit 2021.

Shefi i Misionit Pierre Peytier, ka thënë se zgjedhjet u mbajtën në një mjedis kryesisht të qetë.

“Zgjedhjet e së dielës janë mbajtur në mjedis të qetë, edhe përkundër tensioneve që kanë qenë në veri të Kosovës dhe diskutimeve për mundësinë e shtyerjes së tyre për shkak të situatës me COVID-19. Vonesat e vazhdueshme në kryerejn e reformave zgjedhore kanë quar në pikën ku rregullat janë të paqarta gjë që ndikon edhe në sigurinë juridike”, ka thënë ai.

Peytier tha se kanë vëzhguar vetëm në disa zona të caktuara dhe shtoi se incidentet e vogla nuk kanë ndikuar në procesin zgjedhor.

“Misioni nuk ka vëzhguar në mënyrë gjithëpërfshirëse, por në disa vende si Prishtinë, Graçanicë, Kishnicë dhe Mitrovicë të Veriut. Incidentet e vogla nuk kanë ndikuar në procesin e zgjedhjeve”, shtoi ai.

Ndërsa, Elene Nizharadze, zëvendësshefe e Misionit u shpreh se gjatë viteve të fundit, reforma zgjedhore në Kosovë ka dështuar disa herë, dhe sipas saj, kjo ka ndikuar edhe në legjislacion në lidhje me procesin zgjedhor.

“Normat ekzistuese zgjedhore nuk janë të mjaftueshme për të siguruar informacione dhe po ashtu kjo ndikon në qasjen për të votuar nga ana e personave me nevoja të veçanta. Legjislacioni është gjithashtu i paqartë sa i përket afateve për ankesa në lidhje me procesin zgjedhor”, tha ajo.

Në anën tjetër, Bosko Neneziq, analist i zgjedhjeve dhe vëzhgues i KQZ-së, foli për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“KQZ ka përgatitur ruandin e parë të zgjedhjeve e në mënyrë efektive dhe brenda afateve të përcaktuara. KQZ nuk ka nxjerr ndonjë rregullore të veçantë për masat kundër Covid-19, përveç masave të Qeverisë. KQZ ishte transparente ndonëse nuk ka paraqitur online procesverbalet e mbledhjeve të saj”, tha ai.

Neneziq ka shtuar se nuk ka pasur përmirësim të mjaftueshëm në listat e votuesve, ku edhe kësaj here ka pasur nevojë të pastrohen listat.

Ndërkaq, Kristina Kostelac, analiste e fushatës zgjedhore, prezantoi gjetjet e saj në lidhje me fushatën elektorale.

“Fushata u karakterizua si e qetë, ndërsa shumica e buxhetit të fushatës nga subjektet politike u drejtua në rrjete sociale. Gjendja me COVID-19 mënjanoi tubimet e mëdha elektorale edhe pse subjektet shpërfillën shëndetin publik duke mbajtur megjithatë takime elektorale. Gjuha e mediave ishte e moderuar, gjatë debateve që disa media i mbajtën për zgjedhjet komunale”, theksoi ajo.

Në fund, analistja e medias Maja Milikiç u shpreh se skena mediatike e Kosovës është e larmishne, pavarësisht mungesës së transparencës rreth pronësisë së tyre.

“Burim kryesor informacioni mbetet televizioni. Para pandemisë, Kosova ka pasur pesë gazeta të shtypura, por pandemia ka ndikuar që ato të mos printohen më. Politikanët kryesisht përdorin mediat sociale, veçanërisht Facebook-un si rrjeti social më i përdorur në vend. ENEMO ka ngritur shqetësim për shpërndarjen e përmbajtjeve të rreme dhe propagandës në media sociale”, tha ajo.