Foto e publikuar në "X": MisIoni i SHBA-së në NATO.

Misioni i SHBA-së në NATO: Pavarësia e Kosovës, dëshmi e qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë së popullit

Misioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, me disa fotografi të ushtarëve amerikanë në Kosovë, ka shprehur urimin për Pavarësinë e Kosovës.

“Kjo javë shënon 17- vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë së popullit të Kosovës.” – thuhet në postimin që ky Mision e ka bërë në rrjetin social “X”, më 18.02.2025.

Ky Mision ka shprehur, po ashtu, mirënjohjen e përzemërt për SHBA-në dhe forcat aleate për punën e tyre përmes misionit të KFOR-it – një operacion për mbështetjen e paqes i nisur në vitin 1999.

“Përpjekjet e tyre vazhdojnë për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet të cilat jetojnë në Kosovë.” – shkruan në postim.

Më 17.02.2008, në ora 15:39, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, Kosova shpalli Pavarësinë dhe u deklarua shtet i pavarur dhe demokratik. Deklaratën e Pavarësisë e lexoi Hashim Thaçi, kryeministri i atëhershëm i Kosovës.

Shpallja e Pavarësisë u bë në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku morën pjesë 109 deputetë nga gjithsej 120 të Kuvendit të Kosovës – një shumicë e fuqishme që përfaqësoi dëshirën e popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi.

Ky moment historik shënoi një pikë kthese të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, pas dekadash të luftës dhe represionit.

Serbia kishte kundërshtuar legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Në korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha legjitimitet të plotë pavarësisë së Kosovës që ishte shpallur 2 vjet e gjysmë më parë.

Kosova u njoh nga shumë shtete të rëndësishme, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumicën e shteteve të Bashkimit Europian – një hap i rëndësishëm për integrimin dhe afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Para shpalljes së Pavarësisë, Kosova ishte nën administratën e Kombeve të Bashkuara (UNMIK). Kjo ishte një periudhë e ndihmës ndërkombëtare dhe përpjekjeve për krijimin e institucioneve demokratike.

Para shpalljes së Pavarësisë, i dërguari special i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, ofroi Propozimin Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës, i cili u njoh edhe si “Plani i Ahtisarit” – duke ofruar një Kornizë për krijimin e një shteti të pavarur.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është dokumenti themeltar që përcakton strukturën, funksionimin dhe parimet e shtetit të Kosovës. Ajo u miratua më 09.04.2008 dhe hyri në fuqi më 15.06. 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.