Misionet e BE-së në Bosnje: Jemi të përkushtuar për integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës

Në një deklaratë të përbashkët, Delegacioni i BE-së, shefi i Misionit të BE-së në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe komanda e EUFOR-it, kanë shprehur përkushtimin rreth sovranitetit, unitetit dhe integritetit territorial të Bosnjës.

Reagimi vjen pas lajmeve se kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, ua ka dërguar një dokument zyrtarëve të bllokut evropian në të cilën pretendohet se ai propozon ndryshim të kufijve në Ballkan.

Në këtë deklaratë thuhet po ashtu se BE e mbështet perspektivë evropiane të Bosnjës, raporton Evropa.ba.

Më poshtë keni deklaratën e plotë të misioneve të BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë:

“Bashkimi Evropian është i përkushtuar për sovranitetin, unitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës. Kjo gjë është përsëritur shumë herë dhe ky është pozicioni ynë i vendosur dhe i pandryshuar. BE dhe shtetet anëtare mbështesin plotësisht dhe në mënyrë të vendosur përspektivën e Bosnjës për në BE.
Bosnja dhe Hercegovina duhet të përfitojë nga viti 2021 si një vit jo zgjedhor për të përshpejtuar reformat siç janë të identifikuara në 14 prioritetet kryesore të Komisionit Evropian në mënyrë që të përparojë rrugën për në BE. Ne do të vazhdojmë të mbështesim këto përpjekje.”

BE-ja nuk komenton raportimet për letrën e Janshas dhe ndryshimet e kufijve