Mirsad Shkreta: Në qeverisjen e LDK-së konkursi për specializime është shpallur pa analizë të mirëfilltë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, ka thënë se konkursi i shpallur në kohën e ish-ministrit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, për specializime të mjekëve ka qenë pa analizë të mirëfilltë.
Shkreta në emisionin “Kallxo Përnime” tha se për këtë arsye ka ngritur çështjen e hartimit të një strategjie për menaxhimin e burimeve njerëzore.
“Ne e kemi ngritur edhe si Komision ka qenë pikërisht hartimi i një strategjie për menaxhimin e burimeve njerëzore, mungesa pesë vite e specializimeve dhe shpallja e konkursit të specializimeve pa një analizë të mirëfilltë që duhet ta bënte IKSHPK dhe MSH na ka sjellë në këtë situatë ku rrezikojmë probleme me anesteziologë” – ka thënë ai.
Sipas Shkretës, për shkak të mënyrës së si është shpallur konkursi në disa klinika të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka numër të madh të specializantëve.
“Unë jam kirurg oral dhe në kohën time kur kam specializuar kanë qenë shtatë specializantë. Tash në klinikë janë 100 specializantë të kirurgjisë orale në një konkurs, këta e kanë vetëm një sallë operative, atyre ju shkojnë tri javë vetëm më u futë në sallë dhe prapë nuk mund të shohin sepse nuk kanë mundësi teknike” – ka thënë tutje deputeti i LVV-së.
E lidhur me këtë ka folur edhe ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Hyseni, i cili konkursin e ka quajtur një sukses të madh.
“Një prej sukseseve më të mëdha të ministrit Zemaj janë specializimet. U mundua që me e mbyll një problem jashtëzakonisht të madh” – ka thënë Hyseni.
Në emisonin ku po debatohet për shëndetësinë është diskutuar edhe për dorëheqjen e tashmë ish-ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi.
Deputeti i partisë në pushtet (LVV), Mirsad Shkreta, ka thënë se një problematikë për ish-ministrin Latifi ka qenë edhe stafi i tij.
“Problematikë e ish-ministrit tashmë ka qenë edhe stafi i cili për një kohë kaq të shkurtër nuk kanë mundur të ambientohen” – ka thënë ai.
Shkreta ka thënë se shumë vizita të Latifit jashtë vendit kanë pasur të bëjnë pikërisht me edukimin e specializantëve.
“Shumë vizita të ministrit kanë pasur të bëjnë me edukimin e specializantëve të cilët janë shumë keq në klinika të caktuara. Pa një bashkëpunim me shtetet që e kanë më të avancuar shëndetësinë ne nuk mund të prodhojmë kuadro që janë kompatibilë me kohën”, – ka shtuar Shkreta.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, më 6 tetor ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i kësaj Ministrie gati një vit pas emërimit të tij në këtë pozitë.