Komuna e Rahovecit

Mirëmbajtësit e QKMF-së në Rahovec pas më tepër se një muaj marrin rrogën, jo të plotë

Rreth 25 punëtorë, mirëmbajtës të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Rahovec në muajin korrik dhe gusht të këtij viti iu kanë vonuar rrogat.

Më 10 korrik të këtij viti kishte skaduar kontrata ndërmjet komunës së Rahovecit dhe kompanisë private higjienike “Zona Park”, në Prizren, të cilët kishin kontratë nga 10 korriku i vitit 2019. Pas skadimi të kontratës kompania “Zona Park” nuk mbante më përgjegjësi përreth 25 punëtorët – mirëmbajtës në QKMF.

Punëtorët mirëmbajtës në këtë qendër shqetësimin e tyre për mos marrje të pagës për rreth dy muaj e kanë adresuar në KALLXO.com, të cilët duke dashur të mbesin anonim kanë treguar se pas skadimit të kontratës kanë marrë premtim se do të marrin pagat e tyre prej 220 euro, ashtu siç edhe e kanë pasur në kontratën e kompanisë higjienike, vetëm se duhet të vazhdojnë të punojnë. Madje për këtë ata thonë se janë takuar edhe me drejtorin e shëndetësisë në këtë komunë, Samir Mustafa, edhe pse ky i fundit e ka mohuar takimin me punëtorë.

“Kemi qenë në komunë, kemi fol me drejtorin e shëndetësisë dhe na kanë premtu që na jep rrogë”, kanë treguar punëtorët për KALLXO.com.

Ndërsa sa i përket mos pagesave për muajin korrik dhe gusht të punëtorëve – mirëmbajtësve të QKMF-së, drejtori i shëndetësisë thotë se komuna nuk mbanë asnjë përgjegjësi për këta punëtorë pasi që, sipas tij, është kompania private e cila është përgjegjëse për punëtorët e saj.

“Komuna e Rahovecit ka një kontratë me një kompani private për mirëmbajtje të institucioneve shëndetësore, ata (punëtorët) nuk janë në listën e pagave të kodit buxhetor të komunës janë me kompani private. Jemi në dijeni që nuk kanë marrë pagë ne u kemi bërë presion (kompanisë), në kuptimin, që me i kry obligimin ndaj punëtorëve për pjesën e mbetur. Komuna nuk ka obligim ndaj kompanisë. Komuna nuk ka asnjë përgjegjësi ndaj këtyre punëtorëve”, sqaroi Mustafa për KALLXO.com.

Ndërsa sa i përket punës pa kontratë të punëtorëve për muajin korrik dhe gusht, drejtori potencon se mirëmbajtësit nuk kanë punuar me kontratë mbi vepër, mirëpo ata kanë vazhduar punën me pretekstin se kompania “Zona Park” do t’i paguaj për punën e bërë, pavarësisht se kishte skaduar kontrata me këta të fundit.

“Nuk kanë pasë kontratë në këtë periudhë kohore punëtorët mirëmbajtës. Ata e kanë pasë kontratën me kompaninë private ata nuk e kanë pasë për obligim me i detyru kompanitë private me i pagu punëtorët. Jo nuk kanë punu me kontratë mbi vepër ata kanë shpresu që kompania private e merr përsipër me i pagu këto obligime. Po, me një farë mënyre po i bjen sikur kanë punuar në baza vullnetare, edhe pse nuk kanë pasë ndonjë kontratë për me kry punë vullnetare. Ligjërisht komuna nuk ka asnjë përgjegjësi”, sqaron tutje drejtori.

Në anën tjetër KALLXO.com ka adresuar pyetje edhe në kompaninë “Zona Park”, të cilët thonë se për aq kohë sa kanë pasur kontratë punëtorët janë paguar rregullisht.

Kompania higjienike “Zona Park” dhe komuna e Rahovecit kanë nënshkruar kontratën e dytë më 22 gusht 2021.

“Nga data 10 korrik 2019 deri me 10 Korrik 2021, punëtorëve në fjalë u janë paguar rregullisht pagat mujore dhe kontributet pensionale. Pas datës 10  korrik 2021 e deri me 22 gusht 2021 ne si operator ekonomik nuk kemi pasur fare kontratë as me punëtorët as me Komunën e Rahovecit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

‘Misteri i 150 eurove’

Dje pas dite pas raportimit për mos marrje të pagës për muajin korrik dhe gusht, disa prej punëtorëve u janë transferuar nga 150 euro në xhirollogaritë e tyre.

Mirëpo punëtorët nuk e dinin nëse këto para ishin transferuar nga kompania higjienike apo nga komuna e Rahovecit.

Për të bërë të qartë këtë “mister” KALLXO.com ka telefonuar drejtorin e shëndetësisë, Samir Mustafa, i cili thotë se komuna nuk ka transferuar asnjë pagë tek këta punëtorë.

Të njëjtën gjë e thonë edhe nga kompania “Zona Park”. “Këto pagesa nuk janë kryer nga ana jonë, poashtu sqarojm se ne si operator nuk kemi borxhe apo obligime për punëtorët”.

Tutje KALLXO.com ka telefonuar edhe drejtorin e financave në komunën e Rahovecit, Astrit Mullabazi, i cili bëri të ditur se paratë janë transferuar nga komuna e Rahovecit përmes subvencioneve.

“Ne i kemi pagu, pardje edhe dje një pjesë iu kanë transferu një shumë prej 150 euro në emër të subvencioneve të zyrës së kryetarit, për mirëkuptim, këta punëtorë të cilët kanë mbetur pa paga, në mirëkuptim atëherë kryetari në bazë të rregullores i ka shpërnda subvencione. I kemi kompenzu nga 150 euro me mundësi që pasi redestinimi të mjeteve atëherë do t’i paguhen edhe pjesët e tjera, diku 220 euro e kanë pagën”, sqaroi drejtori.

Ai poashtu tha se shumë shpejtë do të bëhet trasnferi i pagave për 70 eurot e mbetura për muajin gusht dhe 220 euro për muajin korrik 2021.