Festivali "Mirëdita dobar dan!", Ilustrimi: Mirëdita dobar dan! në Facebook

'Mirëdita, dobar dan!' në Beograd si tendencë për paqe në rajon

Kryeqyteti i Serbisë, Beogradi për të shtatën herë me radhë do të jetë nikoqir i festivalit ‘Mirëdita, dobar dan!’.

Kushtrim Koliqi, drejtor i organizatës “Integra” dhe ideator i këtij festivali tregoi për KALLXO.com sfidat për realizmin e këtij organizimi kulturor.

Koliqi tha se festivali “Mirëdita, dobar dan!” vazhdon të mbes një ndër festivalet e vetme që realizohet në një ambient të kontaminuar politik, por i cili sado pak mundohet të jap shpresë për paqe në rajon.

“Vazhdon ambienti i helmuar, kontaminuar dhe nuk ka një shpresë, që ky ambient mes dy shteteve, mes dy popujve, mes dy klasave politike të relaksohet”, tha Koliqi.

Ai tha se krahas sfidave, festivali po mbijeton duke shërbyer si platformë e intelektualëve, artistëve, aktivistëve, të rinjve për t’i kundërshtuar guximshëm narrativat e krijuara në situatën Kosovë-Serbi.

“Të kemi një miqësi me respekt. Nuk është e thënë ta duam njëri tjetrin, por të paktën mos ta mbysim njëri-tjetrin”, tha ai.

Koliqi tha se përkundër sfidave financiare e politike, si sabotimi dhe kundërshtimi nga qeveria e qarqet nacionaliste serbe, ata do të vazhdojnë misionin e tyre për vendosjen e paqes së qëndrueshme.

Për vite me radhë ky festival ishte pritur keq nga protestues serbë, zyrtarë e organizata në Serbi.

Në edicionin e kaluar një grup i vogël prej 20 personash, me pankarta me mbishkrimin “Kosova është Serbi”, “Nuk dorëzohemi”, “Nuk i lejojmë festivalet, kur serbët në Kosovë maltretohen”, si dhe duke kënduar këngë nacionaliste, protestuan për të kundërshtuar mbarëvajtjen e këtij festivali në kryeqytetin serb, Beograd.

“Këto skena janë të trishtueshme për intelektualët, artistët e të rinjtë e Kosovës. Por, janë skena të trishtueshme edhe për të gjithë territorin e ish-Jugosllavisë, që ende nuk po mundet ta gjej qetësinë në rajon”, tha Koliqi.

Në lidhje me incidentet dhe protestat nga serbët, ai tha se qarqet që janë të bazuara në nacionalizma, dogma që po i mbushin qytetarët me mllef dhe po i detyrojnë që të kenë pozicione ekstreme ndaj popujve fqinjë.

Vitin e kaluar me shfaqjen e dokumentarit ‘Ferdonija’ vazhduan protestat nga një grup serbësh që tentonin ta thyejnë kordonin e policisë, në mënyrë që të futeshin brenda sallës në të cilën po transmetohej dokumentari.

Ndërsa, për sfidat e tij personale në realizimin e festivalit ai tha se procesi i punës e frustron por edhe i rikujton idealin e tij për vendosjen e paqes, respektin dhe pranimin e së kaluarës, si aktivist i të drejtave të njeriut dhe person që merret me trashëgiminë e luftës.

“Edhe pse më frustron gjatë procesit, përsëri e kam idealin që ne duhet të punojmë për paqe të qëndrueshme dhe të pranojnë të kaluarën e bazuar në evidencë”, tha Koliqi.

Edhe pse në situatë pandemike, këtë vit edicioni i shtatë i festivalit do ta shoqërojë Beogradin për tri ditë radhazi, nën masat kundër përhapjes së COVID-19.

Koliqi tregoi se edhe këtë vit festivali do të jetë i hapur pa pagësë, por me rezervim paraprak në mënyrë që të menaxhohet numri i vizitorëve për shkak të pandemisë.

Në ditën e parë në Qendrën për Dekontaminim Kulturor do të shfaqet shfaqja teatrore “Unë jam vetë grua” nga Doug Wright, me regji nga Kushtrim Koliqi.

Në ditën e dytë do të mbahet bebati “Kosova – trashëgimia e kujtesës” dhe ekspozita “Kosova – trashëgimia e kujtesës”, nga Korab Krasniqi.

Në ditën e tretë do të mbahet debati “Drejtësia tranzicionale në Kosovë sot”, përmbledhje tregimesh nga Tristan Halilaj “Richard Gere ka qenë këtu” dhe filmi “Shpia e Agës” nga Lendita Zeqiraj.

Festivali do të fillojë më 22 tetor dhe do të përfundojë më 24 tetor.