Foto: KALLXO.com

“Mirë se vini në tavolinë” në ditët e pritjes së shtëpisë së dhimbjes

Ekspozita filmike “Mirë se vini në tavolinë” me personazh Ferdonije Qerkezin në Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku” fton qytetarët t’i bashkohen ditëve të pritjes të shumë familjeve në Kosovë që për 24 vite jetojnë me kujtimet e luftës.

Me të hyrë në korridor “takohesh” me foto-portrete që të shikojnë drejt në sy, me mendjen dhe shpresën e gjetjes së të dashurve që i humbën në luftën e vitit 1999 nga vrasjet dhe masakrimet e forcave serbe.

Kjo të dërgon tek dhoma e pritjes së mysafirëve në mes të së cilës gjendet tavolina e familjes së Ferdonije Qerkezit, e cila përveç një dhomë e bashkëndjenjës po freskon kujtesën dhe realitetin prej kaq vitesh.

Ferdonija prej vitit 2005 i viziton te varri dy djemtë ndërsa dy të tjerë me bashkëshortin ende nuk i ka gjetur.

Teksa shikon filmin “tavolina” ulur në karrige në tavolinën me pjatat plot kupton “shtëpinë e dhimbjes” jo vetëm të Ferdonijes por edhe të familjeve të tjera të cilat i dallon vetëm mënyra se si serbët ua vranë më të dashurit.

Ekspozita me fotografitë dhe filmin janë elemente që këta familjarë nuk presin asgjë tjetër përveç zbardhjen e krimeve serbe.

Filmi tregon jetën e Ferdonijes, pritjet e saj.

Sipas autorit, Artan Korenica, kjo është tavolina “historike” dhe “politike” e Kosovës që pa kaluar të parën nuk ka zgjidhje tjetra.

“E kam lidhur edhe me konceptin që po i ftojnë në bisedime. Hajde të ulemi në tavolinë, edhe ne ekspozitën kemi me dërgu edhe në Bruksel edhe në plot vende në Evropë, edhe ne dëshirojmë me u ftu:  Hajde të ulemi edhe në këtë tavolinë dhe mandej ulemi edhe në tavolinën e juaj por kaloni njëherë nga tavolina e jonë që me kalu ne te tavolina  e juaj”- tha ai për KALLXO.com.

Ideatori i kësaj ngjarjeje tregoi se kjo dhomë të bën pjesë të pandashme të historisë së pritjes.

“Në këtë tavolinë ka pritur zonja qysh e keni parë karrigen aty, edhe tavolina është e lidhur edhe me filmin gjatë gjithë kohës që edhe nëse asgjë nuk kupton sa i përket filmit nëse është një i huaj gjatë procesit të filmit e sheh veten, në cilën tavolinë je i ulur edhe bëhesh pjesë e filmit, gjithashtu për mua këto karrige janë shumë të shenjta që kushdo që ulet në këtë karrige e përjeton një eksperiencë komplet ndryshe”- u shpreh Korenica.

Ai pohoi se 12 minutat e filmit janë vetëm disa minuta të përditshmërisë së jetës së Ferdonijes për 24 vite.

“Filmi zgjat 12 minuta, është për secilin vizitor që vjen, që ka dëshirë me pa filmin, dhe tavolina e ka simbolikën që ulu prit 12 minuta, derisa je duke pritur, këqyre filmin”- theksoi autori.

Korenica shprehet se për dikë kjo mund të jetë dritare e pritjes. Secili ka mënyra të ndryshme se si pret të dashurit e vet, por Ferdonija ka zgjedhur të presë në tavolinë.

“Kjo është njëra prej mënyrave që ne e kemi shpjegu konceptin që i ka pritur për drekë edhe nuk i kanë ardhur, i ka pritur edhe për një drekë tjetër, dhe që plot njerëz i kanë pritur ndryshe, i kanë pritur te dritarja apo i ka pritur me ndjenjën që po vjen. Domethënë koncepti është i përgjithshëm për krejt, ne nuk e kemi ngritur zërin veç për zonjën por ne e kemi ngritur zërin për krejt të pagjeturit” – tha ai.

“Kur ulesh me familjen e kupton sa ka rëndësi që i ke familjarët dhe zonja nuk i ka pasur” – pohoi Artan Korenica.

Sipas tij, nuk do të ketë kuptim nëse filmi shikohet pa qenë i ulur në karriget e familjes së Ferdonijes. Madje ai tha që edhe ajo është pajtuar se filmi i ngjason ditëve të pritjes së saj.

“Është dashur me sjellë tavolinën me ardhë njerëzit, ka ardhur vetë zonja edhe për mua ka qenë shumë e vështirë që me menaxhu krejt këtë situatë por kur erdhi nuk mundi të thoshte as mirëmbrëma, pastaj u ul këtu. Pasi që është kry filmi nuk ka mundur të fliste sepse qante. Krejt që e ka thënë është se i ngjason ditëve të pritjes së saj”- tregoi ai.

Premiera e filmit është dhënë më 8 mars në simbolikë të ditës së grave dhe për herë të parë premierën e ka shikuar Ferdonije Qerkezi me kryeministrin Kurti, ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, zëvendësministren e Kulturës, Daulina Osmani dhe aktoren e filmit Arta Muçaj.

“Së pari e ka shiku kryeministri. Ka qenë i ulur edhe ministri i Kulturës, ka qenë zëvendësministrja e Kulturës, edhe Arta aktorja edhe ke momenti që për herë të parë u bo premiera edhe zonja Ferdonije, momentin që është bo premiera edhe në momentin që është kryer, dera mbyllur ishte, unë hyra dhe i kam gjetë komplet krejt tavolinën duke qarë”- tregoi Korenica.

Ekspozita është e hapur prej orës 11:00 deri në 19:00 deri më 22 mars. Pastaj do të hapet në Tiranë dhe vende të Evropës.