Miratohet vendosja e bizneseve në Zonën Ekonomike të Vushtrrisë

Kuvendi Komunal i Vushtrrisë në mbledhje të jashtëzakonshme ka miratuar pikën e vetme të rendit të ditës, vendosjen e bizneseve në Parkun Industrial në Lumadh.

Në votim nuk kanë marrë pjesë asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe një pjesë e asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës, parti këto opozitare në Vushtrri.

Ymer Haradinaj, asmbalist i LVV njëherësh anëtar i komisionit për vlerësimin e ofertave për Zonën Ekonomike në Lumadh, e ka kundërshtuar votimin e kësaj pike.

Haradinaj ka thënë se kanë informata që kompanive të caktuara që kanë aplikuar për Zonën Ekonomike në Lumadh, u është kërkuar mito.

“Duke ditur që disa kompanive u kanë kërkuar edhe mito, korrupsion, mjete financiare, nga bizneset kemi informata që edhe kryetari është i njoftuar për këtë. Shpresoj që kryetari e ka përcjellë informatën tek organet kompetente”, ka thënë ndër të tjera Haradinaj.

Ndërsa, Shpëtim Zhegrova nga PDK ka thënë se nuk është për ngut votimi i vendosjes së bizneseve në Zonën Ekonomike në Lumadh.

“Ne jemi që bizneseve t’u krijojmë kushte dhe t’u krijojmë mundësi për punë, por jo në këtë formë. Ka ende punë që është dashur të kryhet e që nuk janë përfunduar në Lumadh, në pjesën që është për bizneset. PDK do të votoj pro kur bizneset ta kenë të qartë atë se çfarë u kërkohet, ndërsa ata që e kanë më nguti të tregojnë, t’u tregojnë të vërtetën atyre që u kanë premtuar”, ka thënë Zhegrova.

Në fund me 14 vota për, 2 kundër dhe 3 abstenime, është miratuar vendosja e bizneseve në Zonën Ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë.

Zona Ekonomike në Vushtrri përplas partitë politike