Foto: REL/Reuters Ilustrim

Miratohet Udhëzimi Administrativ për mbrojtjen e fëmijëve nga "ekspozimi i dëmshëm mediatik"

Në mënyrë që të sigurohet një “arsimim mediatik cilësor” për fëmijët, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se është hartuar Udhëzimi Administrativ “Edukimi i Mbrojtjes së Fëmijës”, dhe i njëjti është miratuar në mbledhjen e Qeverisë, më 24.07.2024.

Sigurohet arsimimi mediatik cilësor në mënyrë që fëmijët të edukohen për përdorimin e sigurtë të teknologjisë dhe të dijnë si të mbrohen nga ekspozimi i dëmshëm ndaj përmbajtjeve të paduhura mediatike”- tha Nagavci në një konferencë për media.

Nagavci tha se ky Udhëzim Administrativ ndikon në krijimin e ambienteve miqësore për fëmijët.

Ndër të tjera, ajo tha se ky udhëzim administrativ garanton që të gjitha veprimet dhe vendimet që i marrin institucionet edukativo-arsimore dhe aftësuese të udhëhiqen nën parimet e Konventës për të Drejtat e Njeriut.

Të gjitha njësitë akademike, pra fakultetet që përgatisin kuadro për punën me fëmijët, integrojnë politika për mbrojtjen e fëmijës në kurrikulat e tyre”- tha ajo.

Sipas ministres, udhëzimi në fjalë e qartëson rolin e të gjitha institucioneve edukativo-arsimore, drejtorive komunale, duke përfshirë shkollat dhe të gjitha institucionet e arsimit.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë është miratuar edhe draft-koncepti për veprimtarinë kërkimore-shkencore dhe inovacion.

Ky dokument rrjedh nga Programi Kombëtar i Shkencës 2023-2028, i miratuar vitin e kaluar.

Nagavci tha se një ndër objektivat kryesore të Programit është zhvillimi i një sistemi efektiv të kërkimit shkencor dhe inovacionit, përmes konsolidimit të kornizës ligjore.