Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Miratohet statuti i ri i Institutit të Historisë “Ali Hadri”
Këshilli drejtues i Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë e ka miratuar më 01.11.2024 statutin e ri të këtij Instituti.
Kështu ka njoftuar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Sipas ministres Nagavci, statutit i Institutit të Historisë “Ali Hadri” përcakton rregullat dhe strukturën e organizimit të punës kërkimore-shkencore, duke siguruar bazë të fortë për funksionimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Institutit.
“Statuti i miratuar sot përmban parimet themelore të funksionimit, rolet dhe përgjegjësitë e çdo njësie dhe anëtari, si dhe procedurat e duhura për realizimin e qëllimeve të Institutit. Falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në përgatitjen dhe finalizimin e këtij dokumenti jetik për të ardhmen e Institutit të Historisë” – ka shkruar Nagavci në Facebook më 01.11.2024.
Nagavci shprehet se me miratimin e këtij statuti janë të përkushtuar për të ndjekur misionin e tyre duke kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të këtij institucioni kërkimor–shkencor në të mirë të shkencës dhe komunitetit në përgjithësi.
Në faqen zyrtare të Institutit të Historisë “Ali Hadri” është i qasshëm statuti i miratuar më 04.11.2015, kur ministër i Arsimit ishte Arsim Bajrami.