Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Miratohet skema programore e RTK-së për vitin 2022

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës në mbledhjes e mbajtur sot, me shtatë vota për dhe asnjë kundër ka miratuar skemën programore të RTK-së për katër kanalet televizive dhe dy të radios.

Në njoftim thuhet se përgjegjësit e programit të RTK-së kanë punuar intensivisht në hartimin e skemës programore për vitin 2022 dhe ajo është pasuruar me emisione të reja.

“Programi i RTK-së krahas programeve standarde është pasuruar edhe me emisione të reja për çdo familje kosovare dhe të dedikuara për grupe të ndryshme shoqërore si: fëmijët dhe të rinjtë, dashamirët e kulturës në zhanret e saj të veçanta, art, film dhe libër dhe të tjera. Fokus i shtuar pa dyshim i është dhënë sektorit te ekonomisë, arsimit, politikës dhe jetës parlamentare në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Tutje është berë e ditur se programet e reja në kuadër të skemës së re programore do të shohin dritën e transmetimit në javën e parë të muajit maj.

Po ashtu, në njoftim thuhet se në këtë sezon programor, ekranit të RTK-së do t’i kthehen figura të njohura televizive me emisione të rikonceptuara dhe me skenografi të re.

Në këtë mbledhje udhëheqësja e mediave online të RTK-së, Ilire Zajmi, ka njoftuar bordin lidhur me reformat që janë ndërmarrë dhe po vazhdojnë në mediat online të RTK-së, përfshirë mundësinë për monetizimin e web-faqes së RTK-së.

“U.D Drejtori i RTK-së e njoftoi Bordin për emërimin e redaktorit për menaxhmin e lajmeve të komuniteteve joserbe që publikohen në web-faqen e RTK-së, me përgjegjësi rikthimin e lajmeve të komuniteteve turke, boshnjake dhe rome. Kjo përgjegjësi do të përmbushet duke e koordinuar punën me redaksitë e tyre komunitete në televizion dhe radio”, thuhet tutje në njoftim.