Miratohet Rregullorja për rendin dhe qasjen e mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit

Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme me iniciativën e kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani, miratoi vendimin për reduktimin e shpenzimeve të telefonisë mobile, asaj fikse dhe reprezentacionit, si për stafin politik, ashtu edhe për administratën e Kuvendit.

Në njoftim thuhet tutje se Kryesia njëzëri miratoi Rregulloren për rendin dhe qasjen e  mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit, e hartuar në koordinim me përfaqësuesit e mediave dhe miratimit paraprak të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), si dhe mbështetjen e NDI-së.

Në këtë mbledhje është miratuar edhe raporti i shpenzimeve të Kuvendit për periudhën janar-mars 2020, konform rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Transfere, ndërsa kërkesa e KOSTT-it për miratimin e Planit të biznesit të rishikuar dhe të buxhetit të rishikuar për vitin 2020, u procedua në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike.

Në këtë mbledhje, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.