Miratohet raporti vjetor i KOSTT-it për vitin 2021, sfidë energjia në veri

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti e ka miratuar raportin vjetor të Ndërmarrjes Publike të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut KOSTT për vitin 2021.

Jeton Mehmeti kryesues i bordit të drejtorëve të KOSTT tha se përkundër performancës pozitive të KOSTT-it, sfida më e madhe ishte mungesa e mbulimit të humbjeve të konsumit për pjesën veriore të Kosovës.

“Sfidë e madhe përkundër sfidës energjetike për KOSTT mbetet mungesa e mbulimit të humbjeve të konsumit për pjesën veriore të Kosovës ku përgjegjësia e pa adresuar brenda Kosovës si rezultat i vendimeve gjyqësore mbetet e pa trajtuar dhe mbetet barrë e madhe për ne”, tha Mehmeti.

Ai gjatë raportimit në Komisionin për Ekonominë, tha se në aspektin financiar për KOSTT pjesa veriore ka pasur impakt të madh duke i vënë në situatë të vështirë financiare.

“Performanca pozitive e KOSTT-it vazhdoi edhe gjatë vitit 2021, pavarësisht sfidave të shumta dhe përballjeve me krizën energjetike me përjashtim të çështjeve të pa zgjidhura sa i përket obligimeve të humbjeve të energjisë elektrike në veri të Kosovës zhvillim ky jashtë kontrollit të KOSTT por i cili në aspektin financiar ka pas impakt mjaft të lartë duke e vënë KOSTT-in në situatë të vështirë financiare”, tha ai.

Gjatë ditës së sotme në Bruksel është arritur marrëveshja për zbatim të marrëveshjes për energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Arrihet marrëveshja për zbatim të marrëveshjes për energjinë