Kuvendi i Kosovës - Arkiv

Miratohet raporti vjetor i Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2020

Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës e miratoi raportin vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2020.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, prezantoi dhe arsyetoi këtë raport duke thënë se përmes tij synohet të paraqitet gjendja e të drejtave të njeriut dhe gjithë zhvillimet brenda një viti.

“Institucioni i Avokatit të Popullit përmes raportit mbi gjendjen e drejtave të njeriut në vend synon të përmbledhur të paraqesë gjendjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore dhe gjithë zhvillimet brenda një viti që kanë të bëjnë me promovimin, mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e drejtave dhe lirive themelore”, tha Qelaj.

Sipas tij, masat e ndërmarra nga Qeveria kanë shkaktuar reagime që ndërlidhen me cenimin e të drejtave dhe lirive themelore.

“Për vitin 2020 Qeveria e Republikës së Kosovës ka paraparë shqyrtimin dhe miratimin e 135 projektligjeve mirëpo nuk ka arritur ta realizojë këtë program dhe nga ky program janë realizuar vetëm 17 ligje”, tha ai.

Sipas Qelajt, numri i vogël i ligjeve të miratuara është rezultat i funksionimit jo të mirë të Kuvendit dhe Qeverisë për shkak të rrethanave politike.

Ai tha se si pasojë e masave kundër pandemisë COVID-19 ka pasur ndikim negativisht në punën e gjyqësorit.

“Deri në fund të vitit 2020 Avokati i Popullit ka pranuar 64 ankesa të ndërlidhura me masat kundër pandemisë”, shtoi ai.