Foto: ZKM

Miratohet Projektligji për ratifikim të marrëveshjes së bashkëfinancimit të studimit të fizibilitetit për hekurudhën Prishtinë - Durrës

Qeveria e Kosovës në një mbledhje elektronike ka miratuar Projekligjin për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit për studimin e fizibilitetit dhe projekt-idesë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë.

“Me vendimin e parë është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëfinancimit për Studimin e Fizibilitetit dhe Projekt-Idesë për Lidhjen Hekurudhore Durrës-Prishtinë. Qëllimi i kësaj marrëveshje është përcaktimi i procedurave dhe ndarja e kostove ndërmjet palëve për financimin e Studimit të Fizibilitetit të këtij projekti, gjegjësisht për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Përpos kësaj, Qeveria ka miratuar edhe një vendim tjetër që ka të bëjë me projektin “Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit”, ku autorizohet ministrja e Ekonomisë për nënshkrim të marrëveshjes së bashkëfinancimit mes Kosovës dhe SHBA-së.

“Ndërsa vendimi i dytë i miratuar në këtë mbledhje, ka të bëjë me Projektin “Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit”, për autorizim të Ministres së Ekonomisë nga Presidentja e Republikës së Kosovës për nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëfinancimit dhe Marrëveshjes për implementimin e Projektit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC)”, thuhet më tej në komunikatën e Qeverisë.

Tutje, potencohet se Qeveria ka përfunduar me sukses negocimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit dhe marrëveshjes për implementimin e projektit “Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit”. 

Objektivi kryesor i këtij projekti, sipas Qeverisë, është sigurimi i stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në Kosovë dhe tranzicioni në energji më të pastër në të ardhmen. Objektiv tjetër i projektit është dhe ndërtimi i kapaciteteve në fushën e energjisë dhe ngritja e punësimit të grave në këtë fushë.