Miratohet plani për fillimin e vitit të ri shkollor

Qeveria e Kosovës sot ka aprovuar master planin të përpiluar nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, për fillimin e vitit të ri shkollor.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj tha se vendimi për fillimin e vitit të ri shkollor do ta marrin menjëherë pasi që të votohet ky master plan si dhe kërkoi edhe 9 milionë euro shtesë nga Fondi për Rimëkëmbjen Ekonomike për realizimin e mësimit në kohë pandemie, COVID-19.

“Ne kemi bërë 5 plane të detajuara, një dokument gjithëpërfshirës dhe një masterplan si dhe një udhëzues për zhvillimin e mësimit në kushte të pandemisë COVID-19. Në këto dokumente është bërë edhe përllogaritja e shpenzimeve për realizimin e mësimit në sistemimit e arsimit”, tha ai.

Ai tha se vendimi përfundimtar mbi fillimin e vitit shkollor do të varet edhe nga aprovimi i përkrahjes financiare.

“Pas llogaritjes së gjitha këtyre, mbetet zbrazëtira prej 9  milionë e 948 mijë euro, ndërsa për sigurimin e këtyre mjeteve kërkohet ndihma e Qeverisë nga Fondi për Rimëkëmbje ekonomike, prandaj ju lutem që ta aprovoni këtë master plan dhe përkrahjen financiare në pajtueshmërinë me vendimet që vjen sot nga Qeveria, ne do të marrim vendimin për fillimin e vitit të ri shkollor sipas tre skenarëve të përcaktuar në udhëzuesin e përgjithshëm dhe atë për tri faza”, tha më tej Likaj.

Pas kësaj, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi tha se do t’ia sigurojnë MASh-it mjetet e kërkuara.

“Ne sot në bashkëpunim me MASh e kemi përgatitur propozim vendimin që në bazë të kërkesave të ministrisë së Arsimit me fillu, për ndarje të fondeve nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike dhe siç e kemi parë për vitin 2020 do të ndahen 4 milionë e 800 e 24 mijë e 647 euro, dhe pjesa tjetër prej 5 milionë euro do të ndahet për vitin 2021, në mënyrë që mos mi blloku fondet”, tha Krasniqi.

Në bazë të këtij plani, hapja e shkollave do të bëhet me 1 shtator në tri faza për të gjitha nivelet e arsimit.

“Viti i ri shkollor do të fillojë më 1 shtator për parashkollorët dhe për klasat 1,2,3 si dhe 6 dhe 9, dhe pastaj për klasat 4 dhe 5 do të fillojë më fazën e dytë 7 shtator, kurse në fazën e tretë më 10 shtator do të fillojnë mësimin klasat 7, 8, 9, 10 dhe 11,12, sipas tre skenarëve të paraqitur”, tha Likaj.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, në kohë pandemie, Skenari A- rikthimin në ambientet shkollore të nxënëseve, Skenari B – mësimin e kombinuar dhe Skenari C – mësimi nga platforma të ndryshme. Por, ende nuk është vendosur në mënyrë konkrete për ndonjërin.

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.