
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Miratohet në parim Projektligji për zgjedhjet e përgjithshme
Me 86 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot në parim Projektligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.
Për këtë projektligj nuk ka pasur vota kundër, ndërsa deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka abstenuar.
Si rrallë herë gjatë kësaj legjislature, deputetët e partisë në pushtet dhe ata të opozitës për këtë projektligj kanë qenë të të njëjtit mendim, duke i dhënë dritën e gjelbër miratimit të tij.
Pas miratimit në parim, kryetari i komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi ka propozuar shmangien e procedurave të rregullores, në mënyrë që edhe shqyrtimi i dytë të bëhet brenda ditës.
“Komisioni funksional për legjislacion deri më 8 qershor, ora 14:30 duhet ta shqyrtojë projektligjin, dhe raportin t’jua paraqes komisioneve të përhershme. Shqyrtimi i dytë bëhet në seancën plenare në ora 16:30”- ka prezantuar mocionin ai.
Më 81 vota për, ky mocion është miratuar.
Andaj, Kuvendi i Kosovës sot në ora 16:30 do të shqyrtojë këtë projektligj në lexim të dytë.
Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë përcakton rregullat e organizimit të sistemit zgjedhor, duke përfshirë rregullat për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikëqyrjen dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.